Ka ndërruar jetë Maridon Dhuli, 37-vjeçari që pësoi djegie të rënda pasi makina që po udhëtonte u përfshi nga flakët. Ngjarja e rëndë u regjistrua gjatë mbrëmjes së djeshme në aksin Kardhiq–Delvinë, në vendin e quajtur “Skërficë”.

Për shpëtimin e tij ndërhynë kalimtarë të rastit, mes tyre edhe Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili po kthehej nga Tirana. Duke parë 37-vjeçarin të përfshirë nga flakët, Ahmetaj përdori xhupin e tij për të shuar zjarrin në trupin e të dëmtuarit.

Fillimisht ai u dërgua në urgjencën e Sarandës, dhe më pas te Trauma në Tiranë, por për shkak të djegies shkallës së tretë, ai nuk arriti të mbijetojë.

Ndërhyrja e qytetarit nga Saranda ka qenë vendimtare për t'i ardhur në ndihmë të plagosurit në momentet e para të ngjarjes. Ai ka njoftuar gjithashtu shërbimet e urgjencës dhe Policinë Rrugore.

 Policia po heton për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.