Dy të rinj nga Saranda shpëtojnë nga flakët drejtuesin e një automjeti në rrugën Kardhiq–Sarandë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Kardhiq–Sarandë, ku një automjet është përfshirë nga flakët, duke rrezikuar jetën e drejtuesit të tij. Ndërhyrja e menjëhershme e dy të rinjve nga Saranda ka rezultuar vendimtare për shpëtimin e tij.
Sokol Ahmetaj dhe Klajdi Selfo, të cilët po udhëtonin rastësisht në këtë rrugë, kanë konstatuar automjetin në flakë dhe janë ndalur për të ndihmuar. Pa hezituar, ata kanë nxjerrë drejtuesin nga makina dhe kanë përdorur xhupat e tyre për të shuar flakët që i kishin përfshirë trupin.
Pas ndërhyrjes, të rinjtë kanë kërkuar ndihmën e urgjencës mjekësore. Sipas dëshmisë së përcjellë për ngjarjen, ambulanca ka mbërritur pas rreth 40–45 minutash.
Drejtuesi i automjetit ka pësuar djegie të shkallës së tretë dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Identiteti dhe gjendja e tij aktuale shëndetësore nuk janë bërë ende të ditura.
Nga informacionet paraprake, automjeti dyshohet se është përfshirë nga flakët pa u përplasur me ndonjë mjet tjetër. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.