Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik është furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal, ndërsa qytetarët mund të vaksinohen në njësinë përkatëse të kësaj qendre.

Sipas njoftimit të QKMF-së, vaksinimi rekomandohet me prioritet për personat mbi moshën 65-vjeçare, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike dhe personat që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore.


Në mesin e grupeve që rekomandohet të vaksinohen janë edhe personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.

QKMF-ja ka bërë të ditur se vaksinimi rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të mbrohen nga gripi sezonal.

Vaksinimi mund të bëhet në njësinë e vaksinimit në QKMF-në e Kaçanikut, nga e hëna deri të premten, në orarin 08:00–15:00. /Telegrafi/