U shty nga protestat e dhunshme, Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00, në rend dite interpelanca me tre ministra dhe reforma territoriale
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, në orën 10:00, seancën plenare, ku në fokus do të jenë interpelancat me tre ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Seanca do të nisë me një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Në vijim, janë parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Po ashtu, ministri i Financave, Petrit Malaj, do të mbajë interpelancë të kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Pjesë e diskutimeve në seancën plenare do të jetë edhe shqyrtimi i disa projektligjeve. Ndër to janë ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Gjithashtu, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Kujtojmë që seanca e javës së kaluar u shty për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të vendit që prej 13 tetorit.




