Aksident i rëndë në autostradën Fier-Lushnjë, fuoristrada përfundon në kanal 5 metra poshtë urës, lëndohet një çift
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në autostradën Fier-Lushnjë, në rrethrrotullimin e Kolonjës. Një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga, ka përplasur barrierat metalike dhe ka përfunduar në kanalin poshtë urës, në një thellësi prej rreth 5 metrash.
Në automjet udhëtonin dy bashkëshortë, të cilët kanë mbetur të bllokuar brenda mjetit pas aksidentit. Për nxjerrjen e tyre është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës të Lushnjës, në bashkëpunim me stafin mjekësor të ambulancës.
Çifti është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku po merr trajtimin mjekësor pasi kanë pësuar dëmtime të shumta.
Sipas të dhënave paraprake, shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, dyshohet se kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit. Drejtuesi nuk ka arritur të marrë kthesën në rrethrrotullim, duke përshkuar barrierat metalike dhe duke përfunduar në kanal.
Policia pritet të kryejë ekspertizën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Rrethrrotullimi i Kolonjës konsiderohet një nga pikat problematike të qarkullimit në këtë aks rrugor, ku edhe më parë janë regjistruar aksidente me pasoja fatale.




