Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Mal të Zi, të pranishëm Rama dhe Kurti

22 Tetor 2026 | 09:35

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të mblidhen sot (e enjte) në Miloçer të Malit të Zi, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, ku do të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, sigurinë rajonale dhe integrimin evropian.

Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe përfaqësues të vendeve dhe institucioneve evropiane, transmeton Klankosova.tv.

Në qendër të diskutimeve do të jenë zhvillimi ekonomik i rajonit, rritja e konkurrueshmërisë dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet gjashtë vendeve, me synimin për të përshpejtuar afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Rëndësi e veçantë pritet t’i kushtohet bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, lehtësimit të tregtisë dhe krijimit të mundësive të reja për investime.

Një tjetër temë e diskutimeve do të jetë siguria rajonale dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për përballimin e sfidave të përbashkëta.

Të pranishëm në samit do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.

Samiti do të hapet nga kryeministri malazez Milojko Spajiç dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike e nisur në vitin 2014, me qëllim mbështetjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një nga shtyllat kryesore të kësaj nisme është Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili synon të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve brenda rajonit.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, vendet pjesëmarrëse kanë ndërmarrë nisma për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Samiti i sotëm pritet të shërbejë edhe si mundësi për të vlerësuar përparimin e deritanishëm në zbatimin e marrëveshjeve rajonale dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt integrimit në tregun evropian.

Procesi i Berlinit mbetet një nga platformat e bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve evropianë, në mbështetje të zhvillimit ekonomik, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit. 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat e Daçiçit dhe Jovanoviçit për Kosovën, BE i përgjigjet Euronews

Gazetarja e Euronews Albania, Esmeralda Mulaj, i drejtoi një sërë pyetjesh Bashkimit Evropian lidhur me deklaratat e Milos Jovanoviçit, i cili gjatë fushatës zgjedhore vizitoi...
07:31 | 22/10/2026

E bija e Jakup Krasniqit: Babai refuzon kujdesin e mjekëve në Hagë

E bija e Jakup Krasniqit, Gresë J. Krasniqi, ka njoftuar se babai i saj refuzon kujdesin e mjekëve në Hagë. Sipas saj, gjatë një telefonate,...
21:07 | 21/10/2026

Kurti takon Kos në Mal të Zi: E rëndësishme mbështetja për statusin e vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë detaje nga takimi në Mal të zi në margjinat e Samitit të Procesit...
20:34 | 21/10/2026