Kampionët e Shqipërisë zbresin sot në fushë për një tjetër sfidë të rëndësishme europiane. Egnatia kërkon të vazhdojë aventurën europiane me një tjetër rezultat pozitiv. Skuadra rrogozhinase do të përballet sot me danezët e Aarhusit, në kuadër të Conference League, me synimin për të dëshmuar edhe një herë se mund të rivalizojë kundërshtarë me më shumë eksperiencë ndërkombëtare.
Pas barazimit me Midtjyllandin një javë më parë, kampionët e Shqipërisë udhëtojnë me besimin se mund të bëjnë një tjetër paraqitje dinjitoze. Takimi do të luhet në orën 21:00 dhe për ekipin e drejtuar nga Nevil Dede përfaqëson një tjetër provë të rëndësishme në arenën europiane.
“Duke bërë lojën tonë do të marrim rezultatin që meritojmë. Besoj djemtë do na bëjnë të ndihemi krenarë përsëri. Nëse ndeshjen nesër e kalojmë me sukses do të thotë që përballë dy kundërshtarëve danezë, futbolli shqiptar ka progres mjaft të madh dhe uroj që të gjithë shqiptarët të vazhdojnë të krenohen me ne.
Egnatia për herë të parë ka shkelur në grupet e Ligës së Konferencës, shpresoj nesër të bëjmë akoma dhe më mirë seç kemi mirë. Ne meritojmë shumë, pavarësisht diferencat me kundërshtarët. Egnatia është një klub që meriton shumë respekt. Kjo në saj të cilësisë së futbollistëve, organizimit të klubit dhe gjithçkaje”, tha trajneri i Egnatias, Nevil Dede para ndeshjes.
Shqetësimi kryesor për stafin teknik lidhet me gjendjen fizike të sulmuesit Adjesa, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Vllaznisë. Edhe pse lojtari është stërvitur me grupin, mbetet për t’u parë nëse Dede do ta aktivizojë nga minuta e parë.
Në rast se trajneri vendos të mos rrezikojë me sulmuesin, alternativa kryesore për ta zëvendësuar është Montenegro. Egnatia synon të paraqitet me dinjitet, ashtu siç bëri në përballjen e kaluar europiane.
