Gazi që ka vënë PD e Berishës në gjumë ndërsa rinia masakrohet
Naim Noka
Ka një gaz që nuk e hedh policia. Nuk të djeg sytë, nuk të merr frymën dhe nuk të rrëzon në trotuar. Është gaz i ngadaltë, pa erë e pa ngjyrë, që ka futur në gjumë të thellë prej kohësh opozitën zyrtare shqiptare, dhe sot fle e qetë, ndërsa jashtë dritareve të saj rinia e këtij vendi po rrihet, po gjakoset dhe po poshtërohet.
Studentët dolën në shesh pa e pyetur askënd. Nuk pritën urdhër nga selia blu, as autobusë nga rrethet, as fjalim nga ballkoni. Dolën sepse u sosën durimi dhe shpresa. Dhe kur policia u vërsul mbi ta me shkopinj, me gaz dhe kundrejt pagesës 2500 eurove të dajakut, opozita zyrtare vijon të bëjë atë që di të bëjë më mirë: një deklaratë për shtyp dhe pastaj, gjumë.
Ku jane 50 deputetët e opozitës kur prindërit mbanin pankarta me fotot e fëmijëve të tyre të rrahur? Ku ishin kur kapuçonët me hunj në duar ruanin selinë e Partisë Socialiste si të ishte kështjellë e një regjimi tjetër? Disa ishin në studio televizive, duke numëruar minutat e transmetimit. Disa ishin në TikTok, duke filmuar veten me shpinë nga turma. Disa të tjerë, thjesht bënin punën e avokatit në komisariate ose nuk ishin askund.
Opozita zyrtare e Sali Berishës ka harruar se përse ekziston. Doktori e di mirë se nuk opoztita dhe qidnra mijëra demokratë nuk ekzistojnë për të pritur rradhën çfarë do të sjellë zoti duke qëndruar në kolltuk, as për të llogaritur se cila protestë ajo e Flamingove apo kjo e studentëve u sjell vota e e cila jo. Ka minimalisht votën e 500 mijë shqiptarëve dhe ekziston aty për të qenë zëri i atyre që nuk kanë zë kur pushteti u shkel dhe i përdhunon. Dhe sot ky zë nuk dëgjohet. Në vend të tij dëgjohet gërhitja modeste e një partie që jeton prej njëzet e pesë vitesh me të njëjtin kryetar, të njëjtën retorikë dhe të njëjtat humbje.
E dhimbshme është se Edi Rama nuk ka nevojë t’ia shtrojë shtratin opozitës, sepse ajo e ka shtruar vetë. Sa më e përgjumur të jetë, aq më i lirë është ai të qeverisë me patronazhistë, me gardistë dhe me dajak me pagesë apo me dreqin mallkuar. Një opozitë normale minimalisht do të nxirrte mbeshtetësit e saj në shesh dhe të shtonte presionin në krah të studentëve duke qenë aty në shesh, jo përpara tyre për të marrë meritat. Por opozita jonë zgjohet vetëm kur ka kamera në konferenca shtypi, dhe fle sërish sapo fiket drita e kuqe.
Studentët nuk kanë nevojë për ndonjë shpëtimtar që vjen me vonesë dhe kërkon flamurin e revoltës për vete. Kanë nevojë që institucionet, përfshi opozitën parlamentare, të bëjnë punën e tyre: të denoncojnë dhunën, të kërkojnë dorëheqje, të bllokojnë çdo ligj që i shndërron qytetarët në armiq dhe të mos i lënë vetëm në shesh, përballë kordonit të dhunës.
Kjo opozitë ka një zgjedhje të thjeshtë: ose zgjohet tani, ose do të futet në gjumë të thellë letargjik. Sepse brezi që sot thith gazin lotsjellës në Tiranë nuk do t’i harrojë ata që, në ditët më të rënda, zgjodhën të flinin.
Është koha të zgjoheni, ose dilni mënjanë dhe lini të tjerët të flasin në vendin tuaj siç po flet Agron Shehaj, Arlind Qorri e Lapaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



