Nafta shtrenjtohet me mbi 2$ për fuçi, tensionet në Lindjen e Mesme rrisin frikën për furnizimin

Çmimet e naftës u rritën të enjten në tregjet ndërkombëtare, pasi sulmet e reja të rebelëve Houthi në Arabinë Saudite shtynë Shtetet e Bashkuara të urdhëronin largimin e një pjese të personelit diplomatik dhe familjarëve të tyre nga përfaqësitë amerikane në vend.
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rritën me 1,29 dollarë, ose 1,2%, duke arritur në 110,11 dollarë për fuçi, në orën 00:34 GMT. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u shtrenjtua me 97 centë, ose 1%, duke arritur në 98,12 dollarë për fuçi.
Një ditë më parë, çmimi i naftës Brent kishte mbyllur tregtimin pothuajse i pandryshuar, ndërsa nafta amerikane WTI kishte regjistruar një rënie prej 67 centësh.
Departamenti Amerikan i Shtetit po planifikon gjithashtu të tërheqë familjarët e personelit diplomatik nga disa përfaqësi të tjera amerikane në rajon, thanë për Reuters zyrtarë amerikanë.
Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, goditën disa objektiva gjatë së mërkurës. Të paktën një person humbi jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm ndaj një aeroporti civil në Dammam, ndërsa dy persona të tjerë u vranë nga një sulm me dron ndaj një fushe naftëmbajtëse në Arabinë Saudite.
Ndërkohë, shpërthime u dëgjuan edhe në Sirik, në jug të Iranit, raportuan të mërkurën mediat iraniane, duke theksuar se natyra dhe origjina e tyre mbeten të panjohura.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi të mërkurën për Financial Times se Irani është plotësisht i përgatitur për të mbrojtur veten. Ndërsa presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, u shpreh për mediat shtetërore se Shtetet e Bashkuara nuk mund të presin dialog me Iranin për sa kohë vazhdojnë bllokadën dhe kërcënimet ndaj vendit.
Sipas të dhënave të kompanisë Kpler, gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar të paktën 18 sulme ndaj anijeve tregtare. Ndërkohë, analistët e LSEG paralajmëruan se Irani po shënjestron anijet cisternë edhe përtej Ngushticës së Hormuzit, duke i shtrirë sulmet deri në Gjirin e Omanit.
Kjo situatë po rrezikon operacionet e ngarkimit të naftës bruto në vendet e Gjirit, si dhe transferimin e naftës nga një anije në tjetrën, një praktikë e rëndësishme për transportin dhe eksportet e naftës në rajon.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin priti të mërkurën në Shën Petersburg të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, për bisedime që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë. Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të fundit të Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit më të përgjakshëm në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kremlini njoftoi se Putin kishte rënë dakord për rifillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën, me ndërmjetësimin e SHBA-së, që muajin e ardhshëm. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se mbështet zhvillimin e këtyre bisedimeve dhe shpreson që ato të nisin sa më shpejt.
Sa u përket zhvillimeve në tregun amerikan të naftës, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 3,06 milionë fuçi gjatë javës së kaluar, duke arritur në 412,5 milionë fuçi, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA).
Rënia ishte ndjeshëm më e madhe se parashikimet e analistëve të anketuar nga Reuters, të cilët prisnin një tkurrje të rezervave me vetëm 820 mijë fuçi.
Në të kundërt, rezervat e produkteve të distiluara të naftës, ku përfshihen nafta për automjete (diesel) dhe ajo për ngrohje, u rritën me 1,68 milionë fuçi, duke arritur në 104,3 milionë fuçi. Analistët kishin parashikuar një rënie prej 1,16 milionë fuçish.
Ndërkohë, administrata Trump ka njoftuar se do të ofrojë në formë huaje deri në afro një të tretën e rezervës emergjente amerikane prej 1 milion fuçish nafte për ngrohje, bëri të ditur të mërkurën Departamenti Amerikan i Energjisë.
Masa synon të frenojë rritjen e çmimeve të karburanteve, të cilat janë shtrenjtuar ndjeshëm për shkak të mungesave në furnizimin me naftë diesel, si pasojë e konflikteve në Iran dhe Ukrainë./ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









