E enjte, 22 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

NYT: SHBA dhe Izraeli po përgatiten për një sulm në shkallë të gjerë ndaj Iranit! Trump: Diçka do të ndodhë shumë shpejt

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë hartuar plane për të ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të mbahen në nëntor. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta amerikane “The New York Times”.

Sipas raportimit, po shqyrtohet mundësia e një fushate të shkurtër, por intensive, ushtarake. Ndërkohë, forcat amerikane dhe izraelite kanë intensifikuar stërvitjet e përbashkëta, përfshirë fluturime mbi Irak për të praktikuar manovra të sulmeve ajrore.

Reklamë

Edhe presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime të reja ushtarake. Duke folur me gazetarët përpara se të hipte në avionin presidencial Air Force One, të mërkurën në mbrëmje, ai deklaroi se Uashingtoni nuk po negocion me Teheranin.

“Diçka do të ndodhë, në një mënyrë ose në një tjetër, shumë shpejt”, tha Trump, duke shtuar se shumica e njerëzve besojnë se kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve.

Reklamë

Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga NYT, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është takuar këtë javë në Izrael me kryeministrin Benjamin Netanyahu, ku kanë diskutuar mundësinë e sulmeve të reja.

Objektivat e mundshme përfshijnë infrastrukturën energjetike të Iranit, instalimet bërthamore, si dhe arsenalin e raketave dhe dronëve të vendit.

Disa zyrtarë amerikanë vlerësojnë se një tjetër valë e gjerë sulmesh mund ta çojë ekonominë iraniane drejt kolapsit, duke e detyruar Teheranin të bëjë lëshime diplomatike. Kjo strategji do të synonte të rriste presionin mbi udhëheqjen iraniane, pas disa muajsh konflikti dhe bllokade detare ndaj porteve të vendit.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Trump do ta miratojë një operacion të tillë. Presidenti amerikan ka refuzuar disa herë gjatë këtij viti planet për rifillimin e sulmeve në shkallë të gjerë, përfshirë edhe në fillim të këtij muaji, kur forcat amerikane dhe izraelite thuhet se ishin pranë ndërmarrjes së një sulmi.

Ekspertët paralajmërojnë se një fushatë e re ushtarake mund të mos sjellë rezultatet e synuara. Sulmet e mëparshme, të zhvilluara nga shkurti deri në prill, shkaktuan rritje të çmimeve të energjisë dhe inflacionit në nivel global, përkeqësuan situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe ushtruan presion mbi rezervat amerikane të raketave interceptuese.

Irani kërcënon me sulme ndaj qendrave të të dhënave dhe kabllove nënujore

Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo përshkallëzim i ri do të pasohet nga një përgjigje më e gjerë se në fazat e mëparshme të konfliktit.

Përveç anijeve tregtare dhe instalimeve energjetike në rajon, Teherani ka kërcënuar se mund të godasë qendrat e të dhënave dhe kabllot nënujore të internetit.

Sipas deklaratave iraniane, një konflikt i ri nuk do të ishte as i shkurtër dhe as i kufizuar në përmasa.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë një forcë të konsiderueshme ushtarake në rajon, dislokimi i së cilës, sipas burimeve të cituara nga gazeta, pritet të përfundojë në fillim të nëntorit. Kjo forcë përfshin tre aeroplanmbajtëse, mijëra marinsa, avionë luftarakë dhe njësi të operacioneve speciale.

Pse Trump mund të presë deri pas zgjedhjeve të nëntorit?

Sipas zyrtarëve të cituar nga “The New York Times”, ekziston mundësia që Trump të urdhërojë një operacion ushtarak që në tetor, por disa faktorë politikë dhe ushtarakë e bëjnë më të mundshëm skenarin e pritjes deri pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Një prej arsyeve është angazhimi i mëparshëm i presidentit amerikan për të mos nisur sulme përpara votimit. Gjithashtu, ushtrisë amerikane i nevojitet kohë për të përfunduar dislokimin e të gjitha kapaciteteve të planifikuara.

Sipas raportimit, planifikuesit ushtarakë po marrin parasysh edhe kushtet e errësirës, të cilat favorizojnë operacionet ajrore gjatë natës.

Megjithatë, një sulm i ri mund të shkaktojë një përshkallëzim të gjerë rajonal. Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi largimin nga Arabia Saudite të personelit qeveritar jo të domosdoshëm dhe familjarëve të tyre, në një kohë kur Huthët, të mbështetur nga Irani, vazhdojnë sulmet ndaj objektivave në rajon.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se administrata nuk komenton planet ushtarake që mund të ekzistojnë ose jo, duke shtuar se Trump i mban të gjitha opsionet në tryezë për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.