Studentët sfidojnë pushtetin në Serbi, kryesojnë sondazhet para votimit
Fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi ka hyrë në orët e saj vendimtare, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë një garë të fortë mes Partisë Progresive Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe lëvizjes studentore që lindi nga protestat pas tragjedisë së Novi Sadit.
Për herë të parë pas shumë vitesh, pushteti përballet me një sfidë serioze elektorale, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë shprehin shqetësime për klimën politike dhe procesin zgjedhor.
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç mbylli këtë të mërkurë fushatën elektorale me një tubim masiv në qytetin e Nishit.
Në fjalën e tij para mbështetësve, Vuçiç akuzoi sërish protestat antiqeveritare të dy viteve të fundit se janë financuar dhe organizuar nga shërbime të huaja me synimin për të destabilizuar Serbinë dhe për të rrëzuar qeverinë e tij.
Megjithatë, lideri serb u shpreh i bindur për fitoren e forcës së tij politike në zgjedhjet e së dielës, duke deklaruar se pas votimeve do t’u zgjasë dorën e bashkëpunimit kundërshtarëve politikë “për të mirën e Serbisë”.
Në tubimin e SNS-së mori pjesë edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili vlerësoi rolin e Vuçiçit në mbrojtjen e interesave kombëtare serbe. Dodik deklaroi gjithashtu se gjatë një takimi të fundit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ky i fundit kishte shprehur mbështetje për presidentin serb.
Në anën tjetër të skenës politike, lëvizja “Lista e Studentëve” po mbyll fushatën me një mobilizim të madh në Beograd. Lëvizja u krijua pas shembjes tragjike të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024, ngjarje që shkaktoi protesta të gjera kundër autoriteteve.
Dhjetëra mijëra qytetarë pritet të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të studentëve, ndërsa që prej mbrëmjes së të mërkurës grupe të mëdha të rinjsh dhe mbështetësish kanë mbërritur në kryeqytet pas marshimeve disa ditore nga qytete të ndryshme të vendit.
Lëvizja studentore, e organizuar përmes kuvendeve të hapura dhe pa drejtues formalë politikë, ka paraqitur 250 kandidatë për parlamentin serb. Në listën zgjedhore përfshihen profesorë universitarë, fermerë, ish-gjyqtarë, aktorë dhe figura të njohura sportive, mes tyre edhe ish-basketbollisti i njohur serb Dejan Bodiroga.
Sondazhet e fundit tregojnë një përmbysje të ndjeshme të peizazhit politik. Sipas matjeve të Institutit të Mendimit të Ri Politik Serb (NSPM), “Lista e Studentëve” kryeson me 44.5 për qind të mbështetjes, kundrejt 42.7 për qind për SNS-në e Vuçiçit. Sondazhe të tjera i japin një avantazh edhe më të madh lëvizjes studentore, ndërsa vetëm disa matje vazhdojnë t’i japin një epërsi minimale partisë në pushtet.
Analistët vlerësojnë se pjesëmarrja e lartë në votime, e cila pritet të kalojë 60 për qind, mund të favorizojë forcat opozitare dhe kandidatët e mbështetur nga protestat qytetare.
Parlamenti Europian ka dërguar një mision të posaçëm vëzhguesish për monitorimin e procesit, ndërsa autoritetet serbe kanë kritikuar përbërjen e delegacionit.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç ka akuzuar disa vëzhgues ndërkombëtarë për paragjykim ndaj Serbisë.
Klima politike është tensionuar edhe më shumë gjatë 24 orëve të fundit, pasi policia serbe ka ndërmarrë operacione dhe arrestime të aktivistëve në Beograd dhe Novi Sad.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin për nxitje të trazirave në ditën e zgjedhjeve.
Lëvizja studentore ka reaguar duke pretenduar se veprimet e autoriteteve synojnë të frikësojnë aktivistët dhe votuesit pak ditë para procesit zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit konsiderohen si një nga sfidat më të mëdha politike të viteve të fundit për Aleksandar Vuçiçin, ndërsa rezultati pritet të tregojë nëse protestat e gjata studentore do të arrijnë të përkthehen në një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike serbe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




