Agjencitë federale në SHBA po hetojnë nëse një objekt i madh metalik, i gjetur në një fushë misri në Minnesota, ka rënë nga hapësira.

Zyra e Sherifit të Qarkut Stevens njoftoi se objekti u zbulua më 14 tetor në një fushë në zonën Scott Township.


Sipas autoriteteve, objekti metalik ka një diametër prej rreth 3.4 metrash dhe dyshohet se mund të ketë origjinë hapësinore.

Objekti u largua nga fusha, ndërsa agjencitë federale kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e tij.

Sherifi Jason Dingman deklaroi për gazetën The Minnesota Star Tribune se disa agjenci po bashkëpunojnë në hetim, por informacionet që u janë dhënë autoriteteve lokale deri më tani janë të kufizuara.

Ai shtoi se nuk mund të bëjë të ditur emrat e agjencive federale të përfshira, pasi hetimi është ende në zhvillim.

Për momentin, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse objekti është pjesë e një anijeje hapësinore, mbetje satelitore apo diçka tjetër. /Telegrafi/