Me 21 pikë pas 11 ndeshjesh dhe pozitën e tretë në tabelë, Rilindja 1974 po zhvillon një start që ka befasuar shumëkënd. Kapiteni Burim Qorri flet për ecurinë e skuadrës pejane, atmosferën brenda grupit, ndikimin e trajnerit Behar Maliqi dhe objektivat për vazhdimin e sezonit.

Rilindja 1974 është një prej befasive të këndshme të këtij edicioni në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës. Skuadra pejane ka grumbulluar 21 pikë në 11 ndeshje, me gjashtë fitore dhe dy barazime, duke u renditur në pozitën e tretë dhe duke lënë pas në tabelë disa prej klubeve me emër në futbollin kosovar.


Një prej figurave kryesore të këtij fillimsezoni është kapiteni Burim Qorri, i cili është në vitin e tretë te Rilindja 1974. Ai vlerëson se rezultatet e deritanishme kanë tejkaluar pritshmëritë e vetë skuadrës, ndërsa korrektësinë e drejtuesve dhe harmoninë mes futbollistëve i sheh si faktorë të rëndësishëm të vazhdimësisë së tij në klub.

Në një intervistë për Telegrafin, Qorri ka folur për startin pozitiv të ekipit, përgjegjësinë që bart shiriti i kapitenit dhe ndryshimet që ka sjellë trajneri Behar Maliqi. Ai gjithashtu ka treguar se objektivi fillestar i klubit ishte mesi i tabelës, ndaj për momentin skuadra dëshiron ta shijojë ecurinë pozitive pa vendosur synime më të mëdha.

Me 21 pikë nga 11 ndeshje, Rilindja 1974 ka dëshmuar se mund të konkurrojë me sukses në Ligën e Parë. Megjithatë, sipas kapitenit Qorri, rezultatet e deritanishme kanë qenë më të mira sesa pritshmëritë që kishin para fillimit të sezonit.

“Po mendoj se është një start shumë i mirë i ekipit këtë sezon, që me të vërtetë, të jemi të sinqertë, as ne se kemi pritur të startojmë kaq mirë”, ka deklaruar fillimisht Qorri për Telegrafin.

Qorri është pjesë e Rilindjes 1974 për të tretin sezon radhazi. Ai ka bërë të ditur se korrektësia e kryesisë dhe atmosfera e mirë brenda grupit kanë qenë vendimtare për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin pejan.

“Po, është viti i tretë i imi si pjesë e Rilindjes. Arsyeja që jam te ky klub që tri vite është korrektësia e kryesisë së klubit dhe harmonia që e kam gjetur te ky grup i futbollistëve”, ka thënë kapiteni.

Shiriti i kapitenit, privilegj dhe përgjegjësi

Për Qorrin, të qenit kapiten nuk nënkupton vetëm bartjen e shiritit, por edhe të qenit shembull për bashkëlojtarët përmes sjelljes dhe angazhimit. Ai është shprehur i kënaqur me përkushtimin e skuadrës këtë sezon, duke veçuar edhe potencialin e futbollistëve të rinj.

“Për mua të jesh kapiten i ekipit do të thotë privilegj, përgjegjësi dhe shembull në sjellje e angazhim për gjithë lojtarët tjerë. Me bashkëlojtarët jam shumë i kënaqur këtë sezon me qasjen, angazhimin dhe përkushtimin që kanë çdo ditë, pasi që ka shumë lojtarë të rinj me potencial për të ardhmen”, është shprehur ai.

Behar Maliqi, freski dhe ambicie të reja në ekip

Një prej faktorëve që ka ndikuar në ecurinë pozitive të Rilindjes 1974 është edhe trajneri Behar Maliqi. Qorri vlerëson se përvoja e tij si futbollist dhe aftësitë drejtuese janë ndër pikat e forta që po e ndihmojnë ekipin.

“Çdo trajner e ka filozofinë dhe konceptin e vet se si e sheh futbollin. Përparësia e Behar Maliqit mendoj se është lidershipi që e ka pasur si futbollist, ku në shumë ekipe ka qenë edhe kapiten. Suksesi që ka pasur si futbollist dhe puna e madhe që bën, pasi që është trajner i ri me shumë ambicie”, ka vlerësuar Qorri.

Mesi i tabelës ishte objektivi fillestar, por Rilindja po shijon rezultatet

Pavarësisht pozitës së tretë dhe formës së mirë, kapiteni ka theksuar se objektivi fillestar i klubit për këtë sezon ishte përfundimi në mesin e tabelës. Për momentin, skuadra nuk dëshiron të krijojë presion shtesë, por synon ta vazhdojë sa më gjatë këtë ecuri.

“Objektivi real i Rilindjes këtë sezon ka qenë mesi i tabelës. Për momentin jemi duke e shijuar këtë start të mirë dhe shpresojmë të zgjasë sa më shumë që është e mundur, pa menduar për objektivat e ardhshme”, ka përfunduar kapiteni i Rilindjes 1974, Burim Qorri.

Me 21 pikë pas 11 xhirove, skuadra pejane po dëshmon se mund të jetë një prej protagonisteve të këtij edicioni në Ligën e Parë.

Për momentin, Qorri dhe bashkëlojtarët e tij synojnë të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim, ndërsa rezultatet e ardhshme do të tregojnë nëse kjo befasi mund të shndërrohet në një garë serioze për objektiva më të mëdha. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore