Ka nisur seanca plenare në Parlament, ku menjëherë deputetët e PD-së janë duke bllokuar seancën. Ata dëgjohen të thonë zgjidhje politike, për protestën që po mbahet për 10 ditësh në Tiranë. Më pas Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka shtyrë dhe i ka prishur mikrofonin kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës, dhe seanca plenare vijon me tensione. “Asnjë deklaratë nuk e justifikon dhunën. Policia po përmbysh detyrën që ajo ka”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Më herët nënkryetari i PD, Belind Këlliçi në fjalën e tij në Kuvend u shpreh grupi parlamentar i PD-së mbështet protestën dhe dënon dhunën shtazarake ndaj të rinjve.
“Sot është dita e 10 që Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore. Shteti është kapur nga pushteti absolut i Ramës. Kjo lëvizje është revolte ndaj modelit të krijuar nga Rama që po e largon Shqipërinë nga e ardhmja europiane. Grupi parlamentar i PD do mbetet në krah të studentëve dhe çdo qytetari që proteston për dinjitet. Dënojmë dhunën shtazareka studentëve, reprezaljet që u bëhen të rinjve dhe të rejave dhe shantazhin që kryeministri deligjitimuar ka kryer çdo ditë”, tha ai.
Për shkak të tensionit, u kalua direkt në votim pas propozimit të mazhorancës. Teksa votohet, deputetët e opozitës po mundohen forcërisht të pengojnë votimin, duke tentuar të çajnë gardhin e gardës dhe të shtyjnë deputetët e PS. Në një moment deputeti i PD-së, Fidel Kreka goditi me një shishe plastike drejt deputetëve të PS, teksa gjatë gjithë kohës Sali Berisha vijon të qëndrojë i tërhequr.

