Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim të thellë dhe përgjegjësi për personat që kanë qenë të ngarkuar me sigurinë dhe monitorimin e kampit policor të Vrellës, pas raportimeve se një youtuber ka hyrë në këtë hapësirë të kufizuar për publikun dhe ka publikuar pamje të infrastrukturës policore në rrjetet sociale.
Musliu ka bërë thirrje ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili, sipas saj, tashmë ka nisur hetimet për rastin, që të identifikojë personat përgjegjës për lejimin e hyrjes dhe incizimeve brenda kampit.
“Jo që është shqetësues por duhet të ngrejë alarm për kujdes të shtuar dhe për përgjegjësi të plotë te personat përgjegjës. Prandaj, meqë jam njoftuar edhe zyrtarisht që Inspektoriati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet me këtë rast, dua të kërkoj edhe një herë zëshëm Inspektoriatit Policor që të bëjë një hetim të thellë dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë për personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin ose për sigurinë e këtij kampi. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një gazetar ose një qytetar jo shtetas i Kosovës futet në këtë kamp, bën inqizime kontrollon si turist i ftuar ose sikur është në një guidë turistike brenda kampit të sigurisë”, tha ajo.
Deputetja ka thënë se shqetësues është edhe fakti që pamjet e realizuara brenda kampit janë publikuar në rrjetet sociale, pa u penguar personi që i ka incizuar. Ajo ka krahasuar këtë rast me përvojën e saj si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, duke thënë se i ishte mohuar e drejta për të vizituar kampin e Belvederit në Mitrovicë.
“Është e papranueshme dhe është e padrejtueshme ndonjëherë në vendin tonë. Për më tepër, përveç që ka bo ato lëvizje, ka arritur që në mënyrë fare të qetë pa u rrezikuar nga askush dhe pa u penguar nga askush, që videot të cilat i ka realizuar brenda këtij kampi t’i postojë edhe në rrjetet sociale në këtë rast kanalin e tij në YouTube. Dua t’i falënderoj mediat për raportimin e shpejtë edhe korrekt dhe dua të kërkoj përgjegjësi të plotë sepse si anëtar e komisionit parlamentar për siguri kur kam bërë kërkesë për vizitën e kampit Belveder në Mitrovicë më është mohuar kjo e drejtë. Dhe nëse neve si ligjvendës si mbikëqyrës të ligjeve si mbikëqyrës të institucioneve njerëz të cilët duhet të instalojnë kontrollin demokratik në këtë vend na mohohet e drejta të kalojmë në ato kampe si është e mundur si një qytetar jo shtetas i Kosovës të futet pa u vrejtur fare dhe të marrë inqizime të tilla”, tha ajo./EO