Shtatori me afro 2 mijë biznese të reja, tregtia dhe turizmi sektorët e preferuar
Gjatë muajit shtator 2026, në Shqipëri janë regjistruar 1,985 biznese të reja, ku më shumë se gjysma e tyre janë përqendruar në Tiranë. Tregtia, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kryesojnë listën e aktiviteteve të reja, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të regjistruara kanë pronësi të huaj.
Sipas të dhënave zyrtare të QKB Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), gjatë shtatorit janë regjistruar 1,985 subjekte të reja, nga të cilat 1,514 janë persona fizikë dhe 463 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Pjesa tjetër përfshin katër degë të shoqërive të huaja, tri shoqëri aksionare dhe një shoqëri të thjeshtë.
Të dhënat tregojnë se aktiviteti i ri sipërmarrës vijon të jetë i përqendruar kryesisht në kryeqytet dhe në qarqet me aktivitet më të zhvilluar ekonomik dhe turistik.
Kështu, Tirana mban peshën kryesore të regjistrimeve, me 1,085 subjekte të reja, ose rreth 54.7% të totalit kombëtar. Në vendin e dytë renditet Durrësi me 212 biznese të reja, i ndjekur nga Vlora me 132, Shkodra me 104, Elbasani me 102 dhe Fieri me 100 regjistrime.
Rezulton se vetëm Tirana dhe Durrësi përqendrojnë rreth 65% të të gjitha regjistrimeve të muajit.
Sipas ndarjes sektoriale, tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, mbetet aktiviteti më i preferuar për sipërmarrjet e reja, me 464 regjistrime gjatë shtatorit.
Në vendin e dytë renditet sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 220 subjekte të reja, duke reflektuar peshën që aktivitetet e lidhura me turizmin dhe gastronominë kanë në strukturën e sipërmarrjeve.
Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike regjistrojnë 186 subjekte të reja, ndërsa informacioni dhe komunikacioni numërojnë 166 regjistrime.
Ndërtimi vijon të jetë një tjetër sektor me interes për sipërmarrjet, me 155 subjekte të reja gjatë muajit.
Ndërkohë, aktivitetet e tjera të shërbimit dhe shërbimet administrative e mbështetëse regjistrojnë nga 147 subjekte secili, transporti dhe magazinimi 135, ndërsa industria përpunuese 110.
Në sektorin e pasurive të paluajtshme janë regjistruar 67 subjekte të reja, një tregues i pranisë së vazhdueshme të aktiviteteve të ndërmjetësimit dhe shërbimeve të lidhura me tregun imobiliar.
Në kontrast, bujqësia, pyjet dhe peshkimi numërojnë vetëm 29 regjistrime, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit 28.
Një tjetër element i rëndësishëm i të dhënave të QKB-së lidhet me strukturën e pronësisë së subjekteve të regjistruara.
Nga 1,985 subjektet e reja, 1,717 rezultojnë me pronësi 100% shqiptare, ndërsa 238 kanë pronësi plotësisht të huaj.
Gjithashtu, 29 subjekte janë regjistruar me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj, ndërsa një subjekt rezulton me pronësi shtetërore.
Në total, 267 subjekte të reja kanë kapital të huaj, plotësisht ose pjesërisht, duke përfaqësuar rreth 13.5% të të gjitha regjistrimeve të shtatorit.
Të dhënat e QKB-së tregojnë gjithashtu se 653 nga subjektet e regjistruara gjatë shtatorit administrohen nga gra.
Kjo përfaqëson rreth 32.9% të totalit të regjistrimeve të muajit, ose afërsisht një në tre subjekte të reja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









