Tatimet paralajmërojnë monitorim të thelluar për subjekte që nuk paguajnë këstet e tatimfitimit
Administrata Tatimore paralajmëron bizneset që nuk kanë shlyer këstet e tatimfitimit do të përfshihen në monitorim të thelluar, nëse nuk përmbushin detyrimet brenda datës 20 tetor 2026.
Njoftimi vjen në një kohë kur bizneset kanë shprehur shqetësime për rritjen e kësteve të parapagimit të tatimfitimit për periudhën nëntor-dhjetor, duke pretenduar se rivlerësimi është bazuar kryesisht në rritjen e xhiros, ndërkohë që fitimet nuk janë rritur në të njëjtën masë për shkak të kostove më të larta.
Bizneseve u shkojnë këstet e rritura të tatimfitimit, Binaj: Pas protestave ka ndryshuar qasja
“Administrata Tatimore ju bën me dije se subjekti juaj bën pjesë në numrin e kufizuar të tatimpaguesve që, deri në këtë moment, nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për pagesën e kësteve të papaguara të Tatimit mbi të Ardhurat Korporative/Tatimit mbi të Ardhurat nga Biznesi.
Mospërmbushja e këtij detyrimi konsiderohet nga Administrata Tatimore si një tregues me risk të lartë për përmbushjen tatimore.
Ju lutemi të merrni masat e nevojshme për kryerjen e pagesave dhe të detyrimeve përkatëse brenda datës 20 tetor 2026.
Në mungesë të pagesës së kësteve paraprake brenda këtij afati, subjekti juaj do të përfshihet në monitorim më të thelluar nga strukturat e Administratës Tatimore, në përputhje me procedurat e administrimit dhe menaxhimit të riskut tatimor”, thuhet në njoftimin e dërguar bizneseve.
Në një sqarim për Monitor, Administrata Tatimore bëri të ditur se njoftimet pop-up janë dërguar pas mbylljes së periudhës 9-mujore për tatimpaguesit që nuk kanë paguar këstet e tatimfitimit. Sipas administratës, njoftimet janë dërguar më 1 tetor.
Sa u përket kërkesave të tatimpaguesve për rishikimin e kësteve të parapagimit për tremujorin e fundit të vitit, Administrata Tatimore ka bërë të ditur se ato do të trajtohen me përgjegjësi, duke marrë në konsideratë edhe dëmet e shkaktuara nga protestat.
Ndërkohë, Neni 63, pika 5, i ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon se Administrata Tatimore mund të korrigjojë në rritje parapagimet e tremujorit të fundit të vitit, nëse nga të dhënat e nëntëmujorit rezulton se të ardhurat mesatare mujore të biznesit janë rritur me më shumë se 10% krahasuar me periudhën e mëparshme.
Ndërsa udhëzimi zbatues nr. 26/2023 përcakton se rritja e kësteve nuk mund të tejkalojë 75% të përqindjes së rritjes së të ardhurave.
Megjithatë, bizneset kanë të drejtë të kërkojnë uljen e parapagimeve, nëse provojnë se fitimi i tatueshëm i pritshëm është ndjeshëm më i ulët.
Për 8 mujorin të ardhurat e tatim fitimit arritën në vlerën e 38,6 mld lekëve sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Të ardhurat nga tatim fitimi për 8 mujorin 2026 kanë shënuar rënie me 5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Rikthimi i masave shtrënguese, bizneset nuk po fitojnë, apo nuk po paguajnë; Të ardhurat bien 5%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









