Rama publikon shifrat e protestave në Europë: Shqipëria, i vetmi vend ku policët e plagosur janë më shumë se protestuesit
Kryeministri Edi Rama ka publikuar statistika për numrin e policëve dhe protestuesve të lënduar gjatë protestave në disa vende europiane, duke vënë në dukje se Shqipëria është i vetmi vend ku numri i efektivëve të plagosur është më i lartë se ai i protestuesve.
Sipas shifrave të publikuara nga Rama, në Francë raportohen 1,979 policë dhe 2,448 protestues të plagosur, ndërsa në Gjermani 34 efektivë policie dhe 130 protestues.
Në Rumani, sipas të njëjtave të dhëna, janë plagosur 33 policë dhe 419 protestues, ndërsa në Spanjë raportohen 33 policë dhe 893 protestues të plagosur.
Ndryshe paraqitet situata në Shqipëri, ku, sipas statistikave të publikuara nga kryeministri, janë plagosur 191 efektivë policie dhe 93 protestues.
“Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s po djeg e shkatërron në qytetet e Europës. Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë
Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur
Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik
Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet”, shkruan Rama ndër të tjera në reagim.




