Kryeministri Edi Rama ndodhet në Budva të Malit të Zi, ku merr pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit. Takimi nis me seancën plenare me temë “Një rajon në lëvizje: Ballkani Perëndimor duke formësuar të ardhmen e përbashkët të Evropës”.
Në mbërritje, Rama u ndal për pak çaste para gazetarëve, duke komentuar rikthimin në këtë takim të përvitshëm, që këtë vit organizohet në Malin e Zi. Me tone ironike, kreu i qeverisë vuri në dukje praninë e helikopterëve sa herë që viziton vendin, ndërsa shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në një tjetër edicion të Procesit të Berlinit.
“Është i vetmi vend ku ke gjithmonë helikopter mbi kokë sa herë që vjen”, u shpreh Rama, duke shtuar se ndihet mirë që ndodhet sërish në këtë takim dhe se është i lumtur të vijojë diskutimet me liderët e tjerë pjesëmarrës. Pas prononcimit të shkurtër, kryeministri vijoi drejt takimit, ku në fokus është bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva e përbashkët evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
