• Kontakt
Thursday, October 22, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Tokë pa fermerë, ekonomi pa punonjës/ Pse Shqipëria nuk zhvillohet pa rininë

11:43 : 22/10/2026
në AKTUALITET, KRONIKE

Shqipëria po tregon prej kohësh dy “sëmundje” strukturore. Në fshat, toka bujqësore po lihet djerrë. E copëtuar që nga viti 1991 në ferma familjare prej mesatarisht 1.2 hektarësh, të ndara edhe këto në tri a katër ngastra, ajo nuk arrin të mekanizohet dhe të krijojë ekonomi shkalle. Rreth 65% deri në 75% e punës në arë dhe serra kryhet ende me krahë. Kjo bujqësi e mbetur në epokën e shatës nuk e ushqen më vendin: në tremujorin e dytë të vitit 2026, pikërisht kur miliona turistë të huaj mbushën restorantet e tregjet, prodhimi bujqësor ra me 2.29%.

Në Tiranë, ku sot jeton 31.6% e popullsisë së vendit, ose 758,513 banorë, vinçat krijojnë përshtypjen e një ekonomie që po rritet drejt lartësive. Zyrtarisht, ajo u rrit me 3.71% në tremujorin e parë dhe 3.61% në të dytin, ndërsa FMN-ja parashikon një rritje prej 3.5% për vitin 2026 dhe 3.2% për vitin 2027.

Por, nëse e ngremë pak kapakun e motorit të makinës, shfaqet një e vërtetë po aq e hidhur sa ajo e tokës bujqësore. Si toka e copëtuar e puna manuale që nuk na japin dot sovranitet ushqimor, ashtu edhe fuqia punëtore e tkurrur dhe struktura e cekët e bizneseve nuk na japin dot sovranitet ekonomik. Me numrin e punonjësve që i kanë mbetur dhe me plakjen e shpejtë të popullsisë, Shqipëria nuk ka kapacitet të mbajë në mënyrë të qëndrueshme as një rritje modeste prej 3% në vit. Pa ndryshuar kursin ekonomik, dhe pa u dhënë arsye ekonomike e sociale të rinjve për të qëndruar,  vendi do të plaket e zbrazet përpara se të bëhet prodhues dhe i mirëqenë.

Iluzioni i shifrës 3.6%, rritja me taksa çmimesh dhe rroga shteti

Për një qytetar që nuk di shumë nga ekonomia, shifra 3.61% duket si lajm i mirë. Por në ekonominë reale, ajo çfarë ka rëndësi është se nga vjen kjo rritje. Në një vend që zhvillohet shëndetshëm, ekonomia rritet sepse hapen fabrika e biznese të reja, toka prodhon më shumë dhe kompanitë shesin mallra e teknologji edhe jashtë kufijve (eksportojnë). Në Shqipërinë e vitit 2026, gati dy të tretat e rritjes ekonomike vijnë nga dy burime që nuk prodhojnë asnjë gozhdë dhe asnjë kokërr domate.

Lexo edhe:

Protesta para Kuvendit, pedagogu përplaset me policinë: Po na vjedhin, boll më! Do t’ju vijë turp nga historia

Kaosi në Kuvend/ Socialistët votojnë projektligjet, mbyllet seanca plenare

Burimi i parë janë çmimet e larta: 1.13%, ose një e treta e gjithë rritjes prej 3.61%, vjen nga “taksat neto mbi produktet”.Më thjesht, kur shtrenjtohen ushqimet e mallrat e importuara dhe kur importet e karburanteve rriten me 12.4%, shteti arkëton më shumë TVSH dhe akcizë për çdo blerje tonën. Të quash rritje ekonomike faktin që familjet paguajnë më shumë taksa prej çmimeve të fryra është njësoj si të hipësh mbi karrige dhe të thuash se je zgjatur.

Burimi i dytë është vetë shteti. Sektori që dha kontributin më të madh në rritjen e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit 2026 nuk ishte as turizmi, as ndërtimi, por Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia. Edhe pse popullsia u tkurr me 15.2% midis dy censeve dhe shërbimet kaluan në e-Albania, numri i rrogëtarëve të shtetit arriti rekordin 23-vjeçar prej 186,581 punonjësish në fund të vitit 2025, me një kosto buxhetore prej 125.7 miliardë lekësh në vit. Për shkak të rregullave kontabël të PBB-së, sa herë që qeveria rrit rrogat e administratës me paratë e taksave, kjo regjistrohet statistikisht si “rritje e ekonomisë”.

Nëse nga rritja zyrtare prej 3.61% zbresim taksat mbi konsumin (1.13%) dhe efektin kontabël të rrogave të shtetit (rreth 0.75–0.85%), del se rritja reale organike e ekonomisë private shqiptare në vitin 2026 është vetëm 1.6% deri në 1.75% në vit. Ndërkohë, dy sektorët që prodhojnë mallra fizikë dhe mbajnë në punë 476 mijë shqiptarë — pra 45% të gjithë krahut të punës në vend — po fundosen: bujqësia ra me -2.29%, ndërsa industria dhe energjia shënuan -0.47% në tremujorin e dytë 2026, pasi kishin humbur edhe 13.1% të punëtorëve industrialë një vit më parë.

Largimi i njerëzve rrezikon pensionet dhe buxhetin

Sa herë që flitet për shpopullimin, përgjigjja zyrtare është se pjesëmarrja në forcën e punës arriti rekordin historik prej 76.70% në tremujorin e parë 2025 dhe papunësia zbriti në 8.7%. Përqindja e punësimit u rrit sepse u pakësua numri i krahëve të punës dhe i banorëve; po ashtu, nga ana tjetër, kjo shifër është këmbanë alarmi, pasi ajo tregon se në Shqipëri nuk ka mbetur më rezervë njerëzish që mund të futen në punë. Si pasojë, bizneset po detyrohen ta kërkojnë zgjidhjen te punëtorët e huaj, në vend që ekonomia të mbajë të punësuar të rinjtë vendas. Midis viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria ka humbur rreth 430 mijë banorë, duke zbritur në 2.4 milionë, ndërsa popullsia në moshë pune (15–64 vjeç) u tkurr me 350 mijë njerëz. Mosha mesatare kaloi nga 35.3 vjeç në 42.5 vjeç, dhe sot gati një në pesë shqiptarë (20%) është mbi 65 vjeç.

Kur shohim llogaritë e buxhetit të shtetit — 823 miliardë lekë të ardhura kundrejt 887 miliardë lekëve shpenzime në vitin 2026, me një deficit prej 64 miliardë lekësh — barra mbi punonjësit shqiptarë në sektorin privat duket në tërë dramaticitetin e saj:

Në Censin e vitit 2023, 1,243,085 persona (15–64 vjeç) deklaruan se janë në punë. Por në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, gjatë vitit 2025, derdhën kontribute vetëm 871 mijë persona. Kjo do të thotë se rreth 372 mijë njerëz punojnë në të zezë ose në ekonomi familjare pa paguar sigurime.

Edhe brenda 871 mijë kontribuesve ligjorë, 185 mijë janë punonjës të shtetit, ku rreth 40 mijë punojnë në 61 bashkitë e vendit, të cilat do të marrin 47 miliardë lekë transfertë nga buxheti qendror në vitin 2026. Rreth 100 mijë janë fermerë (11.6%) që paguajnë kuota minimale vjetore, dhe 25 mijë janë kontribues vullnetarë — ku 64% e tyre paguajnë thjesht për të blerë vitet e munguara në prag të pensionit.

Në fund mbeten vetëm 560 mijë punonjës të sektorit privat jo-bujqësor. Këta 560 mijë punonjës privatë mbajnë mbi shpinë gjithë shtetin: ata financojnë 755 mijë pensionistë dhe 187 mijë rrogëtarë publikë. Sot kemi vetëm 1.18 kontribues për çdo pensionist, e për më tepër, në vitin 2025 fluksi i pensionistëve të rinj (+33,518 pensione pleqërie) ishte 23.6% më i lartë se kontribuesit e rinj. Për shkak të viteve në të zezë, 57.1% e pensionistëve urbanë të pleqërisë (322 mijë të moshuar) marrin pension të pjesshëm, duke e lënë pensionin mesatar në qytet në 20,123 lekë dhe në fshat në 12,313 lekë.Kontributet e mbledhura prej 185.5 miliardë lekësh nuk mbulojnë shpenzimet e skemës së detyrueshme prej 195.7 miliardë lekësh, që janë sa 7.72% e PBB-së, duke detyruar buxhetin të shtojë 10.2 miliardë lekë nga taksat.

Pesha e betonit dhe e euros me 90 Lekë: Pse u shkatërrua prodhimi dhe u shtrenjtuan ushqimet me 40%

Pse ekonomia aktuale nuk prodhon rritje të qëndrueshme? Përgjigjja gjendet te kapitali i derdhur në beton dhe efektet e kursit të këmbimit.

Në vitin 2025, Investimet e Huaja Direkte arritën rekordin prej 1.84 miliardë dollarësh, por 34% e tyre shkuan në pasuri të paluajtshme, 18% në banka dhe 10% në industri nxjerrëse. Ky lumë i valutës në beton, bashkë me turizmin dhe flukset informale, e rrëzoi euron ne 21 tetor 2026 në 90.7  Lekë — rreth 25.5% më poshtë se pesë vite më parë, ndonëse Banka e Shqipërisë bleu 826 milionë euro në 9-mujorin e vitit 2025.

Zyrtarisht thuhet se euroja e lirë uli borxhin e jashtëm, duke zbritur borxhin publik në 53.6% të PBB-së më 2026, dhe na mbrojti disi nga inflacioni i importuar, me një inflacion zyrtar prej 3.2%. Por, këto “të mira” rrëzohen përballë dy fakteve:kolapsit të prodhimit vendas dhe shtrenjtimit drastik të çmimeve të ushqimit.

Së pari, euroja e këmbyer me pak me shumë se 90 lekë veproi si taksë ndëshkuese prej 25% mbi çdo prodhues dhe eksportues shqiptar, të cilët paguajnë rrogat e taksat në lekë të mbiçmuar dhe shesin në euro të zhvlerësuar. Eksportet e mallrave ranë me 10% deri në 14% në vit (2023–2025), duke i kushtuar industrisë 600 deri në 800 milionë euro humbje kumulative në fasoneri,minerale dhe agro-përpunim. Ky deindustrializim duket qartë në regjistrin e INSTAT-it, i cili numëron 250 mijë njësi aktive me NIPT, të ndara në dy realitete krejt të ndryshme: nga njëra anë janë 112 mijë fermerë individualë, të cilët prodhojnë në ngastra të vogla familjare kryesisht për vetëkonsum dhe tregun lokal pa arritur dot përmasat e një kompanie; nga ana tjetër janë 138 mijë ndërmarrjet ekonomike (bizneset) e vendit, ku 85.9% merren me tregti e shërbime dhe vetëm 14.1% (rreth 19 mijë kompani) janë biznese të mirëfillta që prodhojnë mallra në industri, ndërtim apo agrobiznes të organizuar. Madje, edhe brenda këtyre 138 mijë bizneseve, 98.5% janë mikrobiznese dhe biznese nën 50 punonjës, ndërsa vetëm 1.5% e kompanive (~2 mijë biznese të mëdha) japin 48.6% të punësimit dhe 44.8% të xhiros në ekonomi.

Së dyti, euroja 25% më e lirë nuk i uli çmimet, por përkundrazi, çmimet e ushqimeve bazë (bulmet, mish, bukë, vaj,perime) pësuan një inflacion kumulativ prej gati 40% ose më shumë (38%–45% që prej vitit 2021). Kjo për dy shkaqe kryesore:

Rritja e kostove të prodhimit vendas: Fermeri shqiptar u godit nga mungesa e krahut të punës (mëditja në fshat u dyfishua), shtrenjtimi me 40%–60% i inputeve, plehrave kimike, ushqimit për bagëtinë e naftës, dhe pamundësia për të mekanizuar ngastrat e vogla. Mijëra fermerë therën bagëtinë dhe lanë tokën djerrë, duke tkurrur prodhimin vendas.

Oligopolet e importit: Kur prodhuesi vendas u mbyt nga kostot dhe euroja e lirë, importuesit e mëdhenj mbetën pa konkurrencë. Ata blenë ushqime më lirë në euro jashtë, futën në xhep fitimin prej 25% të kursit dhe i rritën çmimet në dyqane me 40%, ndërsa qeveria arkëtoi më shumë TVSH (+1.13% në PBB).

Çfarë duhet bërë — dhe pse çelësi janë të rinjtë?

Pse e gjithë llogaria ekonomike varet nga të rinjtë? Së pari, me daljen në pension të brezit të viteve 1960-të dhe emigracionin, forca e punës tkurret me -0.5% deri në -0.8% në vit. E më tej, kur ke një popullsi me moshë mesatare 43 vjeç, nuk mund t’i kërkosh një 60-vjeçari në fshat e qytet të bëhet inxhinier automatizimi apo programues. Kur një 20 vjeçar hipën në avion në Rinas, Shqipëria nuk humbet thjesht një punëtor sot; humbet mbi 40 vite kontribute të ardhshme në skemën e pensioneve, që me kontributet aktuale janë rreth 85,000–100,000 euro sigurime të humbura për person , humbet 350,000–400,000 euro prodhim të brendshëm gjatë jetës së tij aktive dhe humbet fëmijët që ai do të lindë në Gjermani e jo në Shqipëri.

Paradoksi shqiptar është se të rinjtë nuk po ikin më për shkak të papunësisë, por për shkak të punës pa të ardhme. Në Tiranë, ku janë rreth 400 mijë banorë në moshë pune, një i ri mund të gjejë punë si kamarier, korrier apo operator telefonik brenda 2 deri në 4 javësh, me pagë 45,000 deri në 65,000 lekë në muaj. Por, kjo është një “skllavëri” ekonomike:edhe me 600 euro rrogë, me ushqime që kushtojnë sa gjysma e të ardhurave mujore e të shtrenjtuara me 40%, kundrejt apartamenteve në Tiranë që kushtojnë 2,000–3,000 euro metri katror për shkak të parave të investitorëve, një i ri duhet të punojë 35 vjet, pa shpenzuar për asgjë, vetëm për të blerë një shtëpi 70 metra katrorë. Ndërkohë, fshati i ofron punë me shatë në 1.2 hektarë dhe një pension prej 12 mijë lekësh. Kur një vend i mohon të riut banesën, pronën dhe ngjitjen sociale, emigracioni mbetet e vetmja zgjedhje racionale.

Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë rrotën; vende të tjera evropiane që u përballën me të njëjtën hemorragji demografike kanë vepruar me skema të ndryshme:

Polonia, Kroacia dhe Portugalia – Zero tatim mbi rrogën e të rinjve: Për të ndalur eksodin drejt Gjermanisë,Polonia vendosi në vitin 2019 programin PIT Zero — 0% tatim mbi të ardhurat personale për çdo punonjës nën 26 vjeç, duke mbajtur mbi 2 milionë të rinj në tregun vendas të punës. Kroacia shkoi më tej: heqje 100% të tatimit mbi pagën deri në 25 vjeç dhe 50% për moshat 26–30 vjeç, shoqëruar me programin “Biram Hrvatsku” (Zgjedh Kroacinë) që i jep deri në 27,000 euro grant çdo të riu emigrant që kthehet dhe hap biznes prodhues ose rural në vendlindje. Portugalia miratoi regjimin IRS Jovem, duke ulur drastikisht tatimin mbi pagat e profesionistëve të rinj deri në moshën 35 vjeç që të punojnë brenda vendit.

Franca nuk e drejtoi bujqësinë te të rinjtë me lëmosha për naftë, por me anë të agjencisë shtetërore-private SAFER,e cila ka të drejtën ligjore të parablerjes së tokave të braktisura ose të copëtuara, i bashkon ato në ferma moderne dhe ua jep me qira ose kredi të butë vetëm fermerëve të rinj nën 40 vjeç, bashkë me një grant instalimi (Dotation Jeunes Agriculteurs) prej 20,000 deri në 50,000 eurosh.

Estonia dhe Vjena – Kapitali në teknologji dhe banesa për familjet: Estonia e ktheu vendin në kryeqendrën teknologjike të Evropës duke vendosur 0% tatim mbi fitimin e korporatave nëse fitimi riinvestohet në makineri,softuer dhe rroga të larta, ndërsa Vjena, e më tej Singapori, e mposhtën spekulimin e kullave duke ndërtuar me fonde publike banesa me kosto reale për çiftet e reja që punojnë dhe kontribuojnë në vend.

Bazuar në këto modele që kanë funksionuar, Shqipëria mund të integrojë të rinjtë në ekonomi me anë të katër politikave të mundshme. Por, kuptohet që politikat janë shumë më të gjera — si industrializimi, elektrifikimi, turizmi cilësor dhe gjatë gjithë vitit etj. — dhe të gjitha ato duhet të jenë pjesë e debatit dhe e vendimmarrjes si profesionale, ashtu edhe publike.

Zero tatim rroge deri në 30 vjeç dhe 0% tatim për kompanitë që riinvestojnë. Shqipëria duhet të aplikojë menjëherë modelin polak e kroat: 0% tatim mbi pagën (TAP) për çdo të ri deri në 30 vjeç që punësohet në prodhim,agrobiznes, inxhinieri dhe IT deri në pagën 200,000 lekë në muaj, si dhe 0% tatim fitimi (modeli estonez) për çdo kompani që nuk i nxjerr fitimet në banka apo pallate, por i riinveston në makineri dhe trajnimin e të rinjve, duke përdorur edhe 900 milionë euro të Planit të Rritjes të BE-së, nga të cilat 213 milionë euro janë lëvruar deri në qershor 2026. Kjo do të krijonte mundësi për mbi 150,000 të rinj nga ushtria prej 372,000 punonjësish që sot punojnë ende në të zezë.

Taksë p.sh. 3% mbi apartamentet bosh për të financuar shtëpinë e parë të çifteve të reja. Për të ndalur derdhjen e investimeve të huaja në beton spekulativ, qeveria duhet të vendosë një taksë vjetore prej 3% të vlerës së tregut mbi çdo apartament të dytë apo të tretë që mbahet bosh në Tiranë dhe bregdet. Të ardhurat e kësaj takse duhet të krijojnë Fondin Sovran të Banesave sipas modelit vjenez: çiftet e reja nën 35 vjeç që punojnë të siguruar në Shqipëri marrin apartamentin pa paradhënie, me një këst mujor fiks prej 25,000–30,000 lekësh (Rent-to-Own), ku shteti garanton kredinë në këmbim të qëndrimit dhe kontributit të tyre 15-vjeçar në vend.

Blloqe toke disahektarëshe, energji diellore dhe 30,000 euro grant për fermerët e agronomët e rinj. Shteti duhet të krijojë Agjencinë Kombëtare të Tokës sipas modelit francez, e cila merr me qira afatgjatë tokat djerrë të emigrantëve (duke garantuar së pari tapinë e tyre) dhe ua jep në blloqe të bashkuara prej dhjetëra hektarësh të rinjve agronomë dhe veterinerë. Kjo paketë duhet të shoqërohet me 30,000 euro grant instalimi për mekanizim, njohuri,serra diellore e panele diellore.

Ndarja e 25% të tenderave publikë për sipërmarrësit nën 35 vjeç dhe ngrirja e administratës shtetërore.Shteti transferon te privati 180–220 miliardë lekë në vit përmes tenderave dhe PPP-ve, duke mbajtur në punë 70,000–90,000 punonjës privatë (12.5%–16% të punësimit privat jo-bujqësor). Por, nga 110 miliardë lekë tendera të APP-së në vitin 2025, plus 139 milionë euro për 11 PPP-të më 2025 dhe 120 milionë euro më 2026, 90.7% e fondeve shkuan në tenderat e mëdhenj të oligopoleve, ndërsa bashkitë gjatë 6-mujorit të parë 2026 rreth 30% të procedurave (ose gati 10 miliardë lekë) i kishin me “flamuj të kuq”, d.m.th. pa konkurrencë. Rezervimi me ligj i 25% të kontratave publike të digjitalizimit, projektimit dhe shërbimeve për kompanitë e reja të themeluara nga profesionistë nën 35 vjeç — bashkë me ngrirjen e punësimeve në administratën prej 187 mije vetash — do t’u tregonte të rinjve se në Shqipëri mund të pasurohesh me dije dhe garë, e jo vetëm me patronazhim.

Pa një kontratë të re me rininë, Shqipëria do të mbetet një ekonomi që ngre kulla të larta betoni mbi themele demografike e ekonomike që po shemben.

Etiketa: protesteShqiperite rinj

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Protesta para Kuvendit, pedagogu përplaset me policinë: Po na vjedhin, boll më! Do t’ju vijë turp nga historia

11:41 : 22/10/2026
AKTUALITET

Kaosi në Kuvend/ Socialistët votojnë projektligjet, mbyllet seanca plenare

11:19 : 22/10/2026
AKTUALITET

Shkopi i hoxhës dhe shkopinjtë e policisë

11:11 : 22/10/2026
AKTUALITET

“Situatë alarmante”/ Kongresmeni amerikan dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve në Shqipëri

09:30 : 22/10/2026
AKTUALITET

Pak para protestës, Policia “rrethon” Parlamentin

09:11 : 22/10/2026
AKTUALITET

“Je fotografuar në protestë, do mbash përgjegjësi”/ Mësuesit denoncojnë mesazhet kërcënuese

08:45 : 22/10/2026
Para

Qeveria nxjer në shitje për klientët e vet 4 kala historike

TË GJITHA

A keni menduar të jepni dorëheqjen? Kreu i PD, Berisha: Nuk ndodh kurrë, do të thotë të forcosh Ramën!

11:47 : 22/10/2026

Qeveria nxjer në shitje për klientët e vet 4 kala historike

11:45 : 22/10/2026

Tokë pa fermerë, ekonomi pa punonjës/ Pse Shqipëria nuk zhvillohet pa rininë

11:43 : 22/10/2026

Protesta para Kuvendit, pedagogu përplaset me policinë: Po na vjedhin, boll më! Do t’ju vijë turp nga historia

11:41 : 22/10/2026

Aksident në aksin Berat–Lushnjë, autobusi me turistë përplaset me BMW-në, disa të plagosur

11:36 : 22/10/2026

Peshëngritësi Erkand Qerimaj paraqitet në SPAK

11:34 : 22/10/2026

Policët i ndalojnë t’u bashkohen protestës së studentëve te Kuvendi, pedagogët heqin barrierat

11:20 : 22/10/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com