Balla: Pas dhunës në protestë dhe Kuvend qëndrojnë urdhrat e Berishës. Përdorimi i të miturve, e papranueshme

Politikë | 34 minuta më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve në Kuvend, duke akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, si përgjegjës politik për aktet e dhunës gjatë protestës në Tiranë dhe incidentet në sallën e parlamentit.

Balla theksoi se Kuvendi duhet të vijojë punën për miratimin e ligjeve që lidhen me integrimin europian, duke nënvizuar se kalendari parlamentar nuk mund të pengohet nga tensionet politike.

“E patë të gjithë se kush e udhëzonte dhe frymëzonte dhunën në bulevard apo vandalizmin ndaj institucioneve. Ajo që patë sot në Kuvend është shprehje kuptimplotë e urdhrave të Sali Berishës, i cili është përsëritës prej 35 vitesh. Sa herë ka pasur dhunë në Shqipëri, ai është autori. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi duhet të vijojë punën për të votuar një sërë ligjesh që lidhen me agjendën tonë europiane, të cilat nuk mund të presin. Të enjten e ardhshme duhet të votojmë një sërë ligjesh të tjera që lidhen me integrimin dhe Kuvendi nuk do të humbasë asnjë seancë plenare për votimin e ligjeve që lidhen me rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. Kalendari që kemi për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027 përfshin rreth 250 ligje që duhet të kalojnë në Kuvend”, tha Balla.

Balla u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme vendore, ku iu referua gjithashtu mundësisë që aktorë të ndryshëm politikë të marrin pjesë në zgjedhje përmes lëvizjeve studentore.

“Kontrata e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste me shqiptarët është katërvjeçare. Vitin e ardhshëm janë zgjedhjet vendore. Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, përfshirë aktorë të tjerë politikë që duan të regjistrohen përmes një lëvizjeje studentore, le të marrë pjesë dhe të masë mbështetjen që ka. Zgjedhjet i përcakton Kushtetuta dhe partitë politike nuk mund të vendosin nëse do të zhvillohen apo jo”, tha ai.

Sa i përket rolit të Policisë së Shtetit gjatë protestave, Balla tha se ajo është institucioni përgjegjës për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e institucioneve. Ai kërkoi mbështetje për efektivët, ndërsa shtoi se ankesat dhe pretendimet e ngritura për ushtrim dhume po verifikohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe organet e drejtësisë.

“Policia e Shtetit është institucioni që garanton sigurinë e çdo qytetari. E gjithë kjo prirje për të ngarkuar me përgjegjësi policinë duhet të nisë nga arsyetimi se ajo po mbron institucionet. Policia duhet të ketë mbështetjen e të gjithë qytetarëve. Të gjitha ankesat dhe referimet që bëhen nga mediat janë në proces verifikimi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe drejtësia. Ndërkohë, ajo që bëri një prokuror i Tiranës, i njohur për lidhjet politike me Partinë Demokratike, është refuzimi për të dërguar çështjen në gjykatë”, tha ai.

Balla akuzoi gjithashtu PD se ka paguar të mitur për të kryer akte dhune në kryeqytet. Ai shtoi se selia e PS u godit me porosi të kryedemokratit Berisha.

“Është e papranueshme që fëmijët 17-vjeçarë të përdoren për dhunë. A kanë dëshmuar në prokurori se janë dërguar me para? A ka drejtues të PD që kanë paguar 10 mijë lekë apo më shumë, për të udhëzuar fëmijë 17-vjeçarë? Sali Berisha është instruktori i goditjes së PS. Ne e dinim që Berisha do dërgonte njerëzit e vet. Dallimi mes PS dhe SHQUP-it, është se militantët ishin aty për të mbrojtur selinë, PD fsheh të mitur që kërkohen për dhunë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme