Ndeshja mes Paris Saint-Germain dhe Lyonit, e programuar për të dielën në orën 20:45, rrezikon të shtyhet për shkak të situatës së tensionuar në Francë. Policia ka kërkuar ndryshimin e datës së takimit, nga frika e përshkallëzimit të protestave dhe shpërthimit të incidenteve të reja.
Sipas gazetës sportive franceze L’Équipe, përballja e vlefshme për Ligue 1 mund të zhvillohet të hënën, nëse autoritetet vendosin se nuk mund të garantohet siguria gjatë fundjavës.
Protestat e dhunshme që kanë përfshirë vendin kanë shtuar shqetësimet e policisë, ndërsa lëvizja e Jelekëve të Verdhë dhe sindikatat po përgatiten për demonstrata të reja. Autoritetet druhen se grumbullimet e tifozëve dhe aktivitetet sportive mund të krijojnë kushte për incidente të tjera.
Sipas shifrave të publikuara nga mediat franceze, gjatë fundjavës janë arrestuar më shumë se 2.400 persona, ndërsa mijëra biznese janë dëmtuar ose plaçkitur.
Situata ka ndikuar edhe në kalendarin e futbollit francez. Ndeshja mes Toulouse dhe Troyes është zhvendosur nga e shtuna për të dielën, ndërsa përballja e kategorisë së dytë mes Montpellier dhe Red Star është shtyrë për të hënën.
Masat e sigurisë ishin përforcuar edhe të martën, gjatë ndeshjes së Champions League mes PSG-së dhe Barcelonës, ku u angazhuan rreth 5.000 efektivë policie, përfshirë njësi speciale të pajisura me topa uji.
Një shtyrje e mundshme e PSG-Lyon do të krijonte gjithashtu një përplasje me ceremoninë e Topit të Artë, e planifikuar për të hënën, ku pritet të marrin pjesë disa futbollistë të klubit parizien, të nominuar për çmimet kryesore individuale.
