Deputeti i PS-së, Pirro Vengu ka reaguar me tone ironike ndaj opozitës dhe kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për krijimin e një qeverie “kujdestare”.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Vengu kritikon strategjinë politike të opozitës, duke e lidhur kërkesën për një qeveri kujdestare me synimin, sipas tij, për të përfshirë PD-në në qeverisje.
“Ndërkohë, grupi parlamentar i PD-së kërkon një qeveri ‘kujdestare’. As teknike, as teknokratike: kujdestare. Pra, një qeveri me PD-në brenda”, shkruan deputeti socialist.
Vengu ndalet edhe te roli i Sali Berishës dhe raporti i tij me protestat dhe të rinjtë. Duke përdorur një metaforë nga përrallat, ai e krahason Berishën me ujkun që përpiqet të fitojë besimin për t’i hapur derën, duke pretenduar se rinia po përdoret si mbulesë politike. “Rininë e do për maskë, protestën për shkallë dhe qeverinë për strehë”, shprehet Vengu.
Postimi i plotë
Sot, dy mesazhe që duhen lexuar bashkë.
Opozita që përfundoi në Lanë dhe është zbuar disa herë nga dera e madhe e përfaqësimit, tani kërkon të hyjë në protestë nga dritarja.
Ndërkohë, grupi parlamentar i PD-së kërkon një qeveri kujdestare. As teknike, as teknokratike: kujdestare. Pra, një qeveri me PD-në brenda.
Dhe Saliu, si ujku i përrallës që pudros putrën që t’i hapin derën, përpiqet të na shfaqet si mishërimi i rinisë. Rininë e do për maskë, protestën për shkallë dhe qeverinë për strehë.
Një opozitë që ka frikë nga protesta, por kërkon të strehohet në qeveri.
