Pas humbjes së rëndë ndaj Lazios dhe pas deklaratave të forta ndaj disa shokëve të skuadrës, të akuzuar se “u fshehën”, Gleison Bremer ka pasur një sqarim me trajnerin Spalletti dhe me grupin bardhezi. Këto episode kanë rritur spekulimet rreth të ardhmes së tij te Juventusi dhe kanë hapur mundësi për lëvizje në merkato, që mund ta largojnë brazilianin nga Torino që në janar, pas një aventure prej katër vitesh e gjysmë.
Gjatë verës nuk pati oferta konkrete për mbrojtësin 29-vjeçar, por tani interesimi nga Gjermania duket më i qartë. Bayer Leverkusen, klubi që në sesionin e fundit të merkatos pati bisedime me Juventusin për lojtarin Alajbegovic, është futur në listën e ekipeve që e monitorojnë Bremerin. Leverkusen, i njohur për investimet te talentet e rinj, mund të bëjë përjashtim për të siguruar një qendërmbrojtës me përvojë.
Sipas La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Leverkusen kanë kontaktuar rrethin e futbollistit për të vlerësuar mundësinë e një transferimi dhe për të konfirmuar gatishmërinë për të bërë një ofertë brenda dy muajve. Nga ana tjetër, raportohet se Bremer dhe agjentët e tij kanë refuzuar për momentin ofertën e parashikuar.
Klubi bardhezi, nga ana e vet, nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin me çmim të ulët nëse raportet brenda skuadrës që vijnë pas incidentit me Lazion normalizohen. Megjithatë, nëse një ofertë e kënaqshme vjen, Juventusi dhe Bremer mund të ndajnë rrugët pas më shumë se katër sezonesh së bashku.
Në rast shitjeje, Juventus do të futet menjëherë në merkato për një zëvendësues dhe ka një emër të preferuar: Fikayo Tomori. Mbrojtësi anglez thuhet se është pothuajse jashtë planeve të Milanit pas dështimit të largimit të tij në verë. Kontrata e Tomorit skadon në qershor 2027 dhe ai, në moshën 28-vjeçare, ka përvojë në Serie A. Juventus e sheh si mundësi që duhet konsideruar, duke marrë parasysh se verën e ardhshme Tomori mund të largohet nga Milano me parametra zero.
