Është hequr gardhi metalik që ishte vendosur para Kuvendit të Shqipërisë si barrikadë për të penguar afrimin e qytetarëve, studentëve dhe pedagogëve që protestojnë kundër qeverisë.
Pavarësisht heqjes së gardhit, forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë para godinës së Kuvendit, ku kanë krijuar një kordon për të penguar kalimin e protestuesve.
Në protestë janë mbledhur qytetarë, studentë dhe pedagogë, të cilët vijojnë të kundërshtojnë situatën politike në vend dhe të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës, një prej pedagogëve u është drejtuar me një fjalim të fortë efektivëve të policisë, duke u bërë thirrje të reflektojnë dhe të mos qëndrojnë përballë studentëve që kërkojnë ndryshim.
Pedagogu kritikoi pushtetin, duke e akuzuar për vjedhje dhe duke theksuar se protesta nuk bëhet për interesa personale, por për të ardhmen e qytetarëve. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për pabarazinë ekonomike, duke iu referuar pasurisë së personave të lidhur me pushtetin dhe vështirësive me të cilat, sipas tij, përballen shumë familje shqiptare.
“Ai nuk e mban më, ai ka ikur. Por ju do t’ju vijë turpi, në anën e turpit të historisë. Nuk ju bëjmë gjë ne, as me të nuk merremi, por ka ardhur koha të ndryshojmë jetët tona. Të gjithë bashkë, ne po luftojmë dhe për ju. Unë nuk kam asnjë hall, fëmijët e mi janë në punët e tyre. Por nuk shkon më kështu, po na vjedhin o miq. Boll më. Ka miliona ajo Bela, ju dhe të tjerë nuk keni bukë në shtëpi. Çfarë bëni, ku e gjeni këtë urrejtje o miq? Kam 40 vite… gjysmën tuaj e kam bërë me diplomë”, u shpreh pedagogu, duke iu drejtuarz efektivëve të policisë.
Prania e shtuar e forcave të rendit dhe kordoni policor para Kuvendit vijojnë të karakterizojnë situatën në protestën e qytetarëve, studentëve dhe pedagogëve.a.b




