Paralajmëroi më herët për klimën e biznesit, Dhoma Amerikane: Pasiguria po dëmton investimet
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit dhe pasojat që zhvillimet e fundit në vend mund të kenë mbi aktivitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve.
Në një deklaratë publike, ajo paralajmëron se bizneset po përballen me dëme, ndërprerje të aktivitetit dhe mungesë të mbrojtjes së nevojshme, ndërsa kërkon ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve për garantimin e sigurisë.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shpreh shqetësimin serioz të anëtarëve të saj lidhur me zhvillimet e fundit në vend”, thuhet në deklaratë, e cila mbështetet në problematikat e raportuara nga kompanitë anëtare.
Sipas Dhomës, garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve dhe pronës private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të situatës kërkojnë veprim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse.
Dhoma u bën thirrje të gjithë aktorëve të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, duke kërkuar që shqetësimet të adresohen përmes mekanizmave demokratikë. Përtej zhvillimeve të fundit, Dhoma Amerikane e lidh situatën me problemet strukturore që, sipas saj, kanë ndikuar prej vitesh në mjedisin e biznesit në Shqipëri.
“Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë nga shqetësimet dhe rekomandimet e anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur”, thekson deklarata, duke iu referuar angazhimit të Dhomës me institucionet për ndryshime ligjore dhe rregullatore.
AmCham kërkon konsultim më efektiv me komunitetin e biznesit, duke e cilësuar atë të rëndësishëm për forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimi të qëndrueshme, të parashikueshme dhe konkurruese.
Dhoma i referohet edhe rezultateve të indeksit të saj më të fundit, AmCham Business Index (ABI) 2025–2026, i cili ka evidentuar korrupsionin, monopolet, konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe ekonominë informale ndër problemet kryesore të raportuara nga bizneset.
Sipas deklaratës, indeksi ka regjistruar gjithashtu një “përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit mbi klimën e biznesit”. Këtyre problemeve u shtohet pasiguria e krijuar së fundmi, e cila, sipas Dhomës, ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për një numër kompanish.
“Sipas raportimeve që kemi marrë, shumë biznese kanë pësuar dëme dhe ndërprerje të aktivitetit të tyre, ndërsa kanë shprehur shqetësimin se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në deklaratë.
Po keshtu paralajmëron se pasojat mund të shtrihen përtej kompanive individuale, duke ndikuar te punonjësit, familjet dhe ekonomia në tërësi.
“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe vetë ekzistencën e bizneseve, duke sjellë pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi”, thekson AmCham.
Një tjetër shqetësim lidhet me ndikimin e pasigurisë në vendimmarrjen e investitorëve. Sipas Dhomës, mungesa e sigurisë për njerëzit dhe pronën mund të dëmtojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për të investuar në Shqipëri. Në përfundim, Dhoma Amerikane i kërkon qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të bashkëpunojnë për zgjidhjen e situatës dhe garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit ekonomik.
“Veprimi i menjëhershëm, i koordinuar dhe i përgjegjshëm është thelbësor për të ulur tensionet, garantuar sigurinë publike, mbrojtur njerëzit dhe pronën private, si dhe për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të bizneseve”, përfundon deklarata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









