Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Hetem Ramadani, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një zgjidhjeje paqësore, kushtetuese dhe demokratike për Shqipërinë.
Në reagimin e tij në Facebook, Ramadani i kujton Ramës një bisedë të zhvilluar në aeroportin e Vjenës, ku, sipas tij, kryeministri kishte pranuar se nuk do të ishte përgjithmonë në pushtet.
Duke iu referuar protestave dhe tensioneve në Tiranë, Ramadani thekson se largimi në kohën e duhur është një akt përgjegjësie, që i jep vendit mundësinë të marrë frymë dhe të shmangë plagë të mëtejshme.
“Karrigia do të mbetet për dikë tjetër. Shqipëria duhet të mbetet për të gjithë”, përfundon ai mesazhin e drejtuar kryeministrit.
Postimi i plotë:
Zoti Rama, sot po ju kërkoj të ktheheni te qartësia e asaj bisede në aeroportin e Vjenës.
Atëherë e pranuat me qetësi se nuk do të ishit përgjithmonë kryeministër. Sot, sipas gjykimit tim, ka ardhur koha ta ktheni atë vetëdije në vendim.
Ju bëj thirrje të jepni dorëheqjen dhe t’i hapni rrugë një zgjidhjeje paqësore, kushtetuese e demokratike.
Largimi në kohën e duhur është një formë përgjegjësie. Ai i jep vendit hapësirë për të marrë frymë dhe njeriut mundësinë të dëshmojë se e vendos të mirën e përbashkët mbi vazhdimin e pushtetit të vet.
Kur e lëmë mënjanë nevojën për të qenë në qendër, fillojmë t’i dëgjojmë më qartë nevojat e të tjerëve.
Atëherë mund t’i bëjmë vetes pyetjet që vlejnë për sa kohë kemi ende mundësi të veprojmë:
A mund të kisha dëgjuar më shumë?
A mund të kisha bërë më shumë?
Çfarë mund të bëj tani që vendi im të mos vuajë më tej?
Nga zjarri mbetet hi. Pas tij, njerëzve u duhet të rindërtojnë atë që humbën, shpesh me plagë që zgjasin shumë më tepër se vetë flakët.
Prandaj uroj që flaka që po shihni sot në Tiranë t’ju ndriçojë vendimin, përpara se të lërë plagë më të thella.
Kujtojeni njeriun që më solli kafen në Vjenë dhe që dinte ta përfytyronte veten edhe pas mandatit.
Jepini atij njeriu zërin e fundit në këtë vendim.
Karrigia do të mbetet për dikë tjetër.
Shqipëria duhet të mbetet për të gjithë.

© SYRI.net
'Kemi dalë vetë, nuk na paguan askush e nuk na frikëson asgjë'/ Nxënësit thirrje mësuesve: U bëjmë thirrje mësuesve të dalin të na mbështesin
'Rama nuk e mban dot pushtetin me dhunë'/ Xhixho denoncon në Kuvend policinë: Përgjegjësit të ndëshkohen!
DEUTSCHE WELLE: Protestat kundër qeverisë në Shqipëri nuk kanë lidhje me ANTIFA-n