Pasuri me vlerë 77 milionë lekë janë vendosur nën sekuestro preventive në kuadër të hetimit të SPAK për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash, që lidhet me grupin Çopja–Çela. Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi pasuror, i zhvilluar paralelisht me procedimin penal nr. 187/2023, ka identifikuar pasuri që dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale, të regjistruara në emër të personave nën hetim dhe familjarëve të tyre.

Me vendimin e datës 14 tetor 2026, Gjykata e Posaçme ka caktuar sekuestron mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C.

Konkretisht, është sekuestruar një sipërfaqe toke arë prej 2.000 metrash katrorë në Sharrë të Tiranës, në bashkëpronësi të shtetasit Albin Çela dhe shtetases A.Ç. Gjithashtu, janë sekuestruar kuotat 100% të shoqërisë “Check Company” sh.p.k., me adresë në rrugën e Dibrës në Tiranë. Në pronësi të kompanisë rezultojnë 25 automjete, në pronësi të Franci Canajt.

Sipas SPAK, organizata kriminale kishte shtrirje ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me grupe të tjera për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve europiane, përfshirë Hamburgun dhe Anversin. Fitimet dyshohet se investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.

Hetimet janë mbështetur në analizën e komunikimeve të enkriptuara në platformën SkyECC dhe në bashkëpunimin me Europol-in dhe autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë.

Prokuroria thotë se janë evidentuar rolet e pjesëtarëve të dyshuar dhe është dokumentuar zinxhiri i transferimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në kuadër të këtij procedimi janë caktuar masa sigurimi personal ndaj 16 personave. Veprat penale nën hetim përfshijnë trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave, grupin e strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb