Bayern Munich ka siguruar 250 milionë euro përmes hyrjes së Viessmann Generations Group në kapitalin e kompanisë që administron futbollin profesionist të klubit bavarez. Marrëveshja forcon më tej bazën financiare të gjigantit gjerman.
Holding-u i investimeve i familjes Viessmann do të blejë fillimisht 5% të aksioneve të FC Bayern München AG, përqindje që pritet të rritet në 6,7% përmes një rritjeje kapitali.
Sipas gazetës Bild, kjo është shuma më e madhe që Bayerni ka përfituar ndonjëherë nga shitja e aksioneve. Bazuar në vlerën e marrëveshjes, klubi vlerësohet në rreth 5 miliardë euro.
Për krahasim, investitorët e mëparshëm Adidas, Audi dhe Allianz paguan së bashku 277 milionë euro për të hyrë në kapitalin e klubit: përkatësisht 77 milionë euro në vitin 2002, 90 milionë në vitin 2010 dhe 110 milionë në vitin 2014.
“Ky hap forcon strukturën e pronësisë së FC Bayern München AG dhe përmirëson ndjeshëm mundësitë tona financiare në një periudhë ndryshimesh të vazhdueshme”, deklaroi presidenti Herbert Hainer.
Viessmann Generations Group drejtohet nga 37-vjeçari Max Viessmann. Familja e tij shiti në vitin 2023 sektorin e klimatizimit te kompania amerikane Carrier Global, për rreth 12 miliardë euro.
Max Viessmann do t’i bashkohet edhe këshillit mbikëqyrës të Bayernit, i cili do të zgjerohet nga nëntë në dhjetë anëtarë.
