Mungesë mësuesish dhe mjekësh në BE; në Shqipëri, 95% e bizneseve hasin vështirësi në rekrutim
Mësuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe specialistët e teknologjisë së informacionit janë profesionet me mungesat më të mëdha të fuqisë punëtore në Bashkimin Europian.
Të dhënat raportit Skills for Jobs 2026, të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), tregojnë se tregu europian i punës po përballet me vështirësi të vazhdueshme për të gjetur punonjës me kualifikimet e duhura.
Sipas të dhënave të publikuara edhe nga Komisioni Europian, profesionistët e arsimit kryesojnë renditjen e profesioneve me mungesa, me një tregues të çekuilibrit prej rreth 0.4, të ndjekur nga profesionistët e shëndetësisë dhe ata të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), me përkatësisht rreth 0.37 dhe 0.34.
Mungesat janë të konsiderueshme edhe për teknikët e shëndetësisë, specialistët e biznesit dhe administrimit, menaxherët dhe profesionistët e shkencës dhe inxhinierisë. Në renditje përfshihen gjithashtu punonjësit e përpunimit të metaleve dhe makinerive, të kujdesit personal dhe specialistët e instalimeve elektrike dhe elektronike.
Treguesit matin çekuilibrin mes kërkesës dhe ofertës për profesione të ndryshme, jo përqindjen e vendeve të lira të punës.
Raporti i OECD, i publikuar më 14 tetor 2026, mbështetet në të dhëna të krahasueshme për 38 vende, kryesisht deri në vitin 2024. Sipas organizatës, mungesat janë përqendruar te profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë, ndërsa në profesionet me kualifikim më të ulët vërehen më shpesh teprica të fuqisë punëtore.
Plakja e popullsisë, dixhitalizimi dhe përhapja e inteligjencës artificiale po ndryshojnë kërkesën për profesione.
Në shëndetësi, rritja e nevojave për kujdes dhe kushtet e vështira të punës po e bëjnë më të ndërlikuar tërheqjen dhe mbajtjen e personelit. Ndërkohë, zhvillimi i teknologjisë po rrit kërkesën për specialistë me aftësi të avancuara.
OECD paralajmëron se mungesa e punonjësve të kualifikuar mund të pengojë zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe tranzicionin dixhital e të gjelbër të ekonomive.

Shqipëria, 94.9% e bizneseve që kërkuan punonjës hasën vështirësi
Shqipëria nuk përfshihet në krahasimin e 38 vendeve të bazës së re Skills for Jobs, por të dhëna të tjera tregojnë se mungesat e fuqisë punëtore dhe të aftësive janë kthyer në një nga problemet kryesore të bizneseve.
Sipas studimit Skills Needs Analysis Albania 2025, të publikuar në shtator 2026 nga UNDP, 94.9% e ndërmarrjeve që kishin tentuar të rekrutonin punonjës raportuan vështirësi në plotësimin e vendeve vakante. Ndërkohë, 43.5% e ndërmarrjeve identifikuan mangësi në aftësitë e punonjësve ekzistues.
Studimi mbështetet në përgjigjet e 2,185 ndërmarrjeve, që përfaqësojnë rreth 54 mijë biznese aktive dhe mbi 500 mijë të punësuar në vend.
Problemet lidhen jo vetëm me mungesën e njohurive teknike, por edhe me aftësitë e komunikimit, organizimit, bashkëpunimit dhe përshtatjes me kërkesat e reja të punës.
Një tjetër raport i OECD për Shqipërinë, i publikuar në vitin 2026, evidenton se vetëm 1.6% e personave të moshës 25-64 vjeç morën pjesë në aktivitete arsimimi ose trajnimi gjatë vitit 2024, krahasuar me mesataren prej 13.3% në Bashkimin Europian.
Diferenca është e ndjeshme edhe në aftësitë dixhitale. Vetëm 23% e të rriturve në Shqipëri zotëronin të paktën aftësi bazë dixhitale, kundrejt 56% në BE, sipas të dhënave të vitit 2023 të cituara nga OECD.
Në vitin 2023, në Shqipëri u regjistruan mbi 61 mijë vende të lira pune, 54% më shumë se një vit më parë. Rreth 33.8% e vendeve vakante ishin në industrinë përpunuese, 14.6% në tregti dhe 14.2% në akomodim dhe shërbime ushqimore.
Sipas OECD, emigracioni, tkurrja e popullsisë në moshë pune dhe mospërputhja mes arsimit dhe kërkesave të bizneseve po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë sigurimin e punonjësve të kualifikuar në ekonominë shqiptare. / OECD, UNDP, European Commission
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









