Merz: Mungesa e dialogut Kosovë-Serbi po pengon përparimin e gjithë rajonit
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke theksuar se ngecja e dialogut është kthyer në pengesë për përparimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Dialogu, tani për tani po i pengon të gjithë, prandaj bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, deklaroi Merz të enjten, gjatë fjalimit hyrës në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar dialog të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë.
Në fjalimin e tij, Merz, shteti i të cilit është një nga mbështetësit kryesorë të Procesit të Berlinit, foli edhe për protestat që po zhvillohen në rajon dhe në disa vende të Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi se këto ngjarje dërgojnë një mesazh të qartë për nevojën e vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe që qytetarët të përfitojnë prej tij.
Të rinj në disa vende të Evropës, nga Portugalia deri në Shqipëri, kanë protestuar javët e fundit për kushtet në shkolla, çmimet e banimit dhe kostot e jetesës. Protestat në disa raste janë përshkallëzuar në trazira.
Kancelari gjerman theksoi se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion për asnjërën palë, megjithëse pranoi se kjo është veçanërisht e vështirë për t’u arritur “nëse e kaluara na pengon plotësisht”.
“Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të çojnë në një Evropë më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë. Historia nuk do t’i shikojë me sy të mirë ata që përçajnë në këto kohë të ndërlikuara”, nënvizoi Merz.
Ai kujtoi gjithashtu se në vitin 2018, në samitin e Londrës, liderët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit kishin refuzuar së bashku gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
“Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por duhet të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane”, tha kancelari gjerman.
Liderët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit janë mbledhur në Milloçer, pranë Budvës, në bregdetin malazez.
Samiti vjetor, që mbahet më 22 tetor, shënon edhe përfundimin e kryesimit njëvjeçar të Malit të Zi të këtij procesi.
Çfarë është problemi i sigurisë në PHP që shkaktoi mbylljen e përkohshme të faqeve të internetit në disa vende
Policia e Parisit ndalon tubimet në qendër, masat të vlefshme sot nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të mbrëmjes.
Deklaratat e Daçiçit dhe Jovanoviçit për Kosovën, BE i përgjigjet Euronews
- 13:06 Avari e rëndë në rrjetin e ujësjellësit, ndërpritet furnizimi me ujë në Vlorë
- 13:00 Policia përgënjeshtron pretendimet në rrjetet sociale: Nuk kemi dërguar mesazhe ndaj mësuesve dhe pedagogëve
- 13:00 Nga Spajiç te Merz dhe Kos, Rama ndan foto nga takimet e bëra në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit në Malin e Zi
- 12:43 Trafiku i 17 tonëve kokainë nga Amerika Latine, SPAK sekuestron rreth 850 mijë euro pasuri të vëllezërve Çela dhe Çopja
- 12:40 Kundërshtoi sanksionet e SHBA-së, PE i jep Çmimin Saharov Gjykatës Ndërkombëtare Penale
- 12:29 Netanyahu mohon se Trump e pengoi të sulmonte Iranin përpara zgjedhjeve të mesmandatit: Janë në gjunjë, do ta rrëzojmë regjimin