Bizneset nuk duhet të detyrohen të anëtarësohen dhe të paguajnë për një organizatë që nuk e kanë zgjedhur vetë. Ky është shqetësimi kryesor i 17 dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit në Shqipëri, të cilat kërkojnë rishikimin e projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”.
Në një qëndrim të përbashkët, organizatat, mes tyre Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane, Dhoma Italiane, Shoqata e Investitorëve të Huaj dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, vlerësojnë se edhe pas ndryshimeve të bëra në draftin e gushtit 2026, shqetësimet kryesore të komunitetit të biznesit mbeten të pazgjidhura.
Në qendër të kundërshtimeve është parashikimi që çdo subjekt tregtar aktiv, me përjashtimet e përcaktuara në ligj, të bëhet automatikisht anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare.
Sipas organizatave, çdo biznes duhet të ketë të drejtën të vendosë vetë nëse dëshiron të anëtarësohet në një dhomë tregtie dhe nga cila organizatë dëshiron të përfaqësohet.
“Shteti mund të krijojë me ligj një institucion dhe t’i delegojë atij funksione publike; mandatin për të përfaqësuar biznesin mund t’ia japë vetëm vetë biznesi”, thuhet në qëndrimin e përbashkët.
Një tjetër shqetësim lidhet me tarifën vjetore që do të paguajnë bizneset. Organizatat kërkojnë që të përcaktohet qartë se cilat shërbime përfshihen në këtë tarifë, çfarë përfiton konkretisht çdo biznes dhe cilat shërbime do të kërkojnë pagesa shtesë.
Ato kundërshtojnë idenë që një biznes të detyrohet të financojë një strukturë përfaqësuese, pavarësisht nëse ka nevojë për shërbimet e saj apo dëshiron t'i përdorë ato.
Në qëndrim ngrihet gjithashtu shqetësimi për sanksionet, pasi projektligji e parashikon mospagimin e tarifës vjetore të regjistrimit si kundërvajtje administrative. Organizatat kërkojnë që përgjegjësitë dhe elementet kryesore të sanksioneve të përcaktohen qartë në ligj.
Pikëpyetje ngrihen edhe për koston e krijimit të strukturës së re. Sipas dokumentit, relacioni shpjegues përmend një kosto paraprake prej rreth 15.4 milionë lekësh për një periudhë tranzitore njëvjeçare, ndërsa projektligji parashikon mbështetje nga buxheti i shtetit deri në dy vjet.
Organizatat kërkojnë të bëhet e qartë sa do të kushtojë realisht sistemi i ri dhe çfarë pjese të financimit do të marrin përsipër bizneset.
Ato kërkojnë gjithashtu një analizë të plotë të sistemit aktual të dhomave të tregtisë, përpara se të vendoset një model i ri me anëtarësim të detyrueshëm.
Një tjetër pikë është ndarja e përgjegjësive mes Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, për të shmangur procedurat paralele dhe detyrimet shtesë për sipërmarrjet.
Organizatat theksojnë se projektligji nuk lidhet me detyrimin për të përafruar legjislacionin shqiptar me një akt të caktuar të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ato kërkojnë argumente më të qarta për domosdoshmërinë e reformës dhe modelin e zgjedhur.
17 organizatat kërkojnë që konsultimi publik të mos shërbejë vetëm për ndryshime teknike në projektligj, por edhe për të rivlerësuar vetë modelin e propozuar.
“Konsultimi me komunitetin e biznesit duhet të shërbejë për të përcaktuar modelin e reformës dhe jo vetëm për të përmirësuar teknikisht një model të paracaktuar”, theksojnë ato.








Komente
Komento