A është penduar Zidane për goditjen me kokë ndaj Marco Materazzit? Intervista e legjendës franceze
Zinedine Zidane ka folur sërish për një nga momentet më të diskutueshme të karrierës së tij, goditjen me kokë ndaj Marco Materazzit në finalen e Botërorit 2006, duke pranuar se nuk është krenar për atë që ndodhi, por se nuk ndien pendesë.
Ish-ylli francez u përjashtua me karton të kuq në kohën shtesë të finales mes Francës dhe Italisë, pasi goditi mbrojtësin italian në gjoks. Franca humbi më pas në gjuajtjet e penalltive, ndërsa ajo skenë mbeti një nga imazhet më të paharrueshme në historinë e Kupës së Botës.
Duke iu rikthyer episodit, Zidane tregoi se nuk ka komunikuar me Materazzin që prej asaj nate në Berlin.
“Nuk jam krenar për atë që ndodhi, e kam thënë gjithmonë, por në të njëjtën kohë nuk kam pendesa. Është pjesë e karrierës sime” – deklaroi Zidane.
Legjenda franceze shtoi se në jetë askush nuk bën gjithmonë gjërat e duhura dhe se një karrierë nuk mund të përkufizohet vetëm nga momentet negative.
“Fatmirësisht, kjo nuk është e vetmja gjë që kam bërë në karrierën time. Ka pasur edhe momente shumë më të bukura. Nuk mund të kesh një karrierë të mbushur vetëm me momente të shkëlqyera.”
Një episod që, edhe pas 20 vitesh, vazhdon të ngjallë debate mes tifozëve dhe të shoqërojë historinë e një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.




