Pedagogu dhe ish-politikani Aleksandër Biberaj, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, komentoi protestën e studentëve, duke falënderuar mediat për pasqyrimin e saj dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të brezit aktual politik.

Biberaj vlerësoi punën e News24 duke theksuar se ato kanë ndihmuar që protesta të marrë vëmendje në të gjithë shoqërinë shqiptare dhe jashtë vendit.

Ish-politikani theksoi se studentët janë të vendosur të vijojnë protestën, ndërsa deklaratat e kryeministrit Rama, sipas tij, tregojnë frikën përballë situatës së krijuar.

Gjatë intervistës, Biberaj u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk mund ta garantojë i vetëm anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Ish-politikani u shpreh se largimi i Edi Ramës do të shënonte, sipas tij, fundin e tranzicionit të gjatë politik që ka përjetuar Shqipëria që prej ndryshimeve të vitit 1990.

“Falënderojmë me shpirt me zemër për çfarë ka bërë News24. Dhe gjithë mediat. Keni bërë një punë të shkëlqyer, e keni çuar këtë protestë në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe çdo media botërore…Studentët janë shumë të vendosur…Rama me deklaratat e tij tregon nivelin e frikës që ka, edhe i frikësuar…

Nuk na fut në Europë as Edi Rama…Por në Europë të fut vendimi politik i qytetarëve të BE dhe qëndrueshmëria e shqiptarëve që jemi pro europian.

Nuk mund të dalësh të thuash do heq trenin…Ai është në gjendje të rëndë, por duhet të hapë rrugë. Me largimin e Edi Ramës do të jetë fundi 36-vjeçar të tranzicionit të tmerrshëm. Brezi i politikanëve që erdhi nga dhjetori i ’90 jemi të dështuar. Duhet të largohen të gjithë, ta marrë një brez i ri. Duhet të bëjmë një hap pas të gjithë. Nëse votonte Braçe kundër dhe Elisa Spiropali nuk kalonte reforma territoriale”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb