Një tren mallrash në Afrikën e Jugut mund të ketë thyer rekordin botëror, pasi transportoi 696 vagonë, duke arritur një gjatësi prej 7.6 kilometrash.

Kompania shtetërore hekurudhore Transnet Freight Rail njoftoi se treni përshkoi të dielën linjën e eksportit të mineralit të hekurit, nga Saldanha drejt provincës Northern Cape.




Qëllimi ishte të thyhej rekordi i mëparshëm Guinness, i vendosur në Australi në vitin 2001, kur një tren me 682 vagonë arriti një gjatësi prej rreth 7.4 kilometrash.

Përveç synimit për rekord, projekti shërbeu edhe për testimin e teknologjisë, projektimit të trenave dhe përmirësimin e operacioneve hekurudhore.

Drejtori ekzekutiv i Transnet Freight Rail, Russell Baatjies, tha se vlera kryesore e këtij projekti qëndron te njohuritë teknike që do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të transportit hekurudhor.

Rekordi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi Guinness World Records duhet të shqyrtojë provat nga udhëtimi përpara se ta certifikojë atë. /Telegrafi/