Google po ashpërson rregullat për faqet e internetit që përdorin autorë të sajuar, profile të rreme apo fotografi të krijuara me inteligjencë artificiale për t’u dhënë më shumë besueshmëri përmbajtjeve të publikuara.
Gjiganti teknologjik ka përditësuar udhëzimet për kërkimin, duke e klasifikuar më qartë si praktikë mashtruese përdorimin e profileve të rreme të autorëve. Në këtë kategori përfshihen emrat e sajuar, biografitë dhe eksperiencat profesionale të rreme, si edhe fotografitë e gjeneruara nga inteligjenca artificiale që paraqiten sikur i përkasin personave realë.
Ndryshimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për faqet që përdorin praktika të tilla, pasi përmbajtjet e tyre mund të humbasin pozicionet dhe dukshmërinë në rezultatet e kërkimit të Google.
Masa është pjesë e politikës së kompanisë për të promovuar përmbajtje të dobishme dhe të besueshme, të krijuara në radhë të parë për njerëzit dhe jo për të manipuluar algoritmet e motorit të kërkimit.
Deri tani, Google u kërkonte faqeve të tregonin qartë se kush qëndronte pas një artikulli dhe të ofronin informacion që ndihmonte lexuesit të vlerësonin përvojën, ekspertizën, autoritetin dhe besueshmërinë e autorit.
Me udhëzimet e reja, qëndrimi i kompanisë bëhet më i prerë. Informacioni i rremë mbi autorësinë konsiderohet një sinjal i cilësisë së ulët dhe mund të cenojë besueshmërinë e një faqeje në sistemet e kërkimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se faqet që krijojnë autorë fiktivë, u atribuojnë atyre kualifikime që nuk i kanë ose përdorin imazhe të gjeneruara nga AI për t’i paraqitur si gazetarë apo ekspertë realë, përballen me një rrezik më të madh për penalizim në rezultatet e kërkimit.a.b




