Janë siguruar fotot dhe videot ekskluzive të autorëve të dyshuar për vrasjen e 44-vjeçarit Artan Myrtaj, ekzekutuar pak ditë më parë në Sarandë.
Në një prej pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë shfaqet autori i dyshuar i atentatit. Ai mban dy armë zjarri, ndërsa është i veshur me një xhup në ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe skafandër në kokë.
Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, autori fillimisht ka qëlluar me një pistoletë të pajisur me silenciator. Pasi arma dyshohet se është bllokuar, ai ka përdorur pistoletën tjetër, të cilën e mbante në dorën e djathtë.
Video e ekzekutimit
Në një tjetër pamje shfaqet drejtuesi i motorit me targa greke, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e armatosur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Autori i vrasjes bashkë me ndihmësin e tij

Pas ekzekutimit, sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, autorët janë larguar në drejtim të Konispolit. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ata të kenë kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë.
Artan Myrtaj u vra paraditen e së dielës, më 20 shtator, në zonën e njohur si ish-Agjencia, në qytetin e Sarandës. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar.
Ekzekutimi i 44-vjeçarit dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale të regjistruara në Sarandë, që e kanë zanafillën në një plagosje të ndodhur në korrik të vitit 2025. Myrtaj rezulton të ketë qenë i përfshirë në atë konflikt, ndaj kjo pistë është në fokusin e hetimit.
Për identifikimin dhe kapjen e autorëve, policia ka marrë në pyetje mbi 30 persona, ndërsa deri më tani nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre.




