Lajmi i fundit

LIVE/ Tirana në tension, dita e 10-të e protestës, pedagogët dhe studentët marshojnë drejt Kryeministrisë

Dortmund, nuk bën dush në stadium pas fitores ndaj Sabahut, zbulohet arsyeja

Dortmund, nuk bën dush në stadium pas fitores ndaj Sabahut, zbulohet arsyeja

14:02, 22/10/2026

Borussia Dortmund ka shmangur përdorimin e dusheve në stadiumin e Bakusë pas fitores 2-1 ndaj Sabahut, në ndeshjen e Champions League. Menjëherë pas përfundimit të takimit, lojtarët e skuadrës gjermane janë ngjitur në autobusin e ekipit për t’u kthyer në hotel, pa përdorur dushet e stadiumit.

Sipas asaj që raporton gazeta gjermane Bild, vendimi mund të jetë marrë për të shmangur rreziqet e mundshme nga prania e bakterit të legionelës në sistemin e ujësjellësit të impiantit. Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar dhe Borussia Dortmund nuk e ka bërë zyrtarisht këtë pretendim.

Trajneri Niko Kovaç ka shpjeguar se skuadra nuk i kishte përdorur dushet e stadiumit as pas stërvitjes së një dite më parë.

“Edhe dje, pas stërvitjes, nuk bëmë dush këtu. Na ishte thënë që të laheshim në hotel”, deklaroi tekniku i Dortmundit.

Ndërkohë, drejtori sportiv Ole Book e trajtoi çështjen me humor, duke lënë të kuptohet se kushtet në hotel ishin më të mira.

“Mendoj se dushet e hotelit ishin pak më joshëse. Mund ta imagjinoni vetë se çfarë dua të them. Ambientet e dusheve këtu nuk janë aq të mira sa ato në hotel”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, futbollisti i Sabahut, Joy-Lance Mickels, dha një version tjetër, duke thënë se nuk e kuptonte arsyen e vendimit të klubit gjerman.

“Nuk e di cili është problemi. Nuk dua ta akuzoj Dortmundin për asgjë. Ne bëmë dush aty javën e kaluar, përpara ndeshjes me Slavia Pragën. Dushet janë shumë të mira dhe nuk mungon uji i ngrohtë”, deklaroi lojtari.

Duhet theksuar se deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast kontaminimi nga legionela në stadiumin e Bakusë. Gjithashtu, Borussia Dortmund nuk ka deklaruar zyrtarisht se shmangia e dusheve lidhej me ndonjë rrezik shëndetësor.

Për rrjedhojë, mbetet e paqartë nëse vendimi ishte rezultat i masave parandaluese apo lidhej thjesht me kushtet e ambienteve të stadiumit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco