“Këto janë momente vendimtare për Shqipërinë”, Marta Kos nga Mali i Zi: E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave dhe të dialogut politik.
Në një deklaratë ku ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, Kos vlerësoi ritmin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe shprehu pritshmërinë që disa kapituj të tjerë të negociatave të mbyllen deri në fund të vitit.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria do të përfitojë së shpejti një tjetër pagesë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Deklaratë e Komisioneres Marta Kos:
Këto janë momente vendimtare për Shqipërinë, për të ruajtur ritmin në rrugën e saj drejt BE-së.
Vendi ka ndërmarrë reforma me ritëm të shpejtë. Presim që disa kapituj të tjerë të negociatave të mbyllen deri në fund të vitit. Shqipëria do të marrë së shpejti një tjetër pagesë në kuadër të Planit të Rritjes.
Ruajtja e këtij progresi kërkon që vendi të bashkohet. E vetmja rrugë përpara është përmes dialogut, me të gjithë të ulur në tryezë për të adresuar pakënaqësitë shoqërore.
Duam që Shqipëria të vazhdojë të bëjë përparim të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, duke bërë që përfitimet të shtrihen në të gjithë shoqërinë.
Procesi i anëtarësimit ofron garancinë më të mirë për të siguruar që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, që personat në pushtet të mbajnë përgjegjësi dhe që korrupsioni të mos mbetet pa u ndëshkuar.




