Kriza te Manchester United, thellohet krisja mes trajnerit e lojtarëve, rritet hija e Antonio Contes Mbrëmjen e së dielës bota do mbajë frymën dhe do të hedhë sytë nga Camp Nou ku do të luhet El Clasico mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Por kjo ndeshje ka brenda saj edhe sfidën mes dy trajnerëve Hansi Flick dhe Jose Mourinho, dy personalitete me karriera të ndryshme dhe që do të kërkojnë të shkruajnë një faqe tjetër të historisë së rivalitetit më të madh të futbollit në Spanjë dhe jo vetëm.
Flick dhe Mourinho do të jenë për herë të parë përballë mes tyre në një ndeshje mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, në një duel që do të përkthehet në fushën e lojës rivaliteti i ri mes dy trajnerëve. Për trajnerin blaugrana, kjo sfidë vjen pas një bilanci shumë pozitiv në sfidat me Los Blancos; 6 fitore në 7 ndeshje ‘El Clasico’, 4 tituj të fituar duke pasur përballë rivalët e përjetshëm dhe një dinamikë që i ktheu Barcelonës aftësinë për t’u imponuar në ndeshjet vendimtare. Nga ana e tij Mourinho kthehet në skenën e një rivaliteti që shënjoi etapën e tij të parë te Reali i Madridit dhe ku u bë protagonist i disa prej episodeve më intensive të karrierës së tij.
Por Hansi Flick dhe Jose Mourinho janë vënë përballë 1 herë mes tyre me trajnerin gjerman që e di se çfarë do të thotë të fitosh ndaj portugezit. Bëhet fjalë për një ndeshje të Ligës së Kampioneve të sezonit 2019/2020 kur Flick ishte në pankinën e Bayernit të Mynihut, ndërsa Mourinho në atë të Tottenham. Ndeshja u zhvillua në 11 dhjetor të 2019 në Allianz Arena dhe përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të baverezëve. Ky rezultat i dha mundësinë Bayernit të mbyllë fazën e grupeve me pikë të plota pas 6 ndeshjeve. Bayerni e kishte siguruar vendin e parë kur u luajt kjo sfidë dhe Flick kishte bërë disa ndryshime në formacion e megjithatë ia doli t’i imponohej skuadrës londineze
Ajo sfidë kishte një domëthënie speciale për trajnerët, për momentin që ata po përjetonin. Flick kishte marrë drejtimin e Bayernit pak javë më parë, pas largimit të Nico Kovac dhe ende po i jepte formë skuadrës që pak muaj më vonë do të pushtonte Evropën. Në krahun tjetër Mourinho kishte më pak se një muaj në pankinën e Tottenham ku ai kishte zëvendësuar Mauricio Pochettino. Mbyllja e atij sezoni ishte totalisht i ndryshëm për secilën prej skuadrave. Bayerni i Mynihut me Flick fitoi Ligën e Kampioneve dhe plotësoi gjashtëshen e trofeve, ndërsa Tottenhami i Mourinhos u eliminua në 1/8 e finaleve të Champions League nga Leipzigun, ndërsa Premier League e përfundoi në vendin e 6.
Top Channel