Mëngjesin e sotëm jemi zgjuar me një lajm tronditës se ambientet e Top Albania Radio-s janë përfshirë nga flakët. Për shkak të zjarrit dhe tymit, TAR ka ndërprerë transmetimin duke filluar me emisionin Wake Up që transmetohet edhe në Top Channel, por për fat të mirë nuk ka të lënduar.
I ftuar sot në Wake Up, Blendi Salaj foli për vijueshmërinë e Wake Up the gjithë programacionit të Top Albania Radio-s.
Një ndryshim i madh nga mëngjeset që ne jemi mësuar të përcjellim tek të gjithë shqiptarët që na ndjekin, por sot një zjarr ra në ambientet e TAR që e bëri të pamundur që ne të ishim në transmetim. Qëlloi që unë isha aty kur zjarri filloi, ndodh shumë shpejt, menjëherë reaguam. Lajmi i mirë është që askush nuk u lëndua, kjo ishte kryesorja. Wake Up rikthehet nesër në orën 7.00. Nëse ka një media që mund ta bëjë këtë të mundur është Top Media. Do të transferohemi derisa studio të riparohet, një studio e ribërë nga e para së shpejti, por nga nesër do të jemi në transmetim nga ambientet e Top Channel. Të gjitha emisionet do të rikthehen, do të gjendet mënyra. Ajo çfarë nuk na vret, na bën më të fortë.