Edi Rama i jep postin e rëndësishëm Elisa Spiropalit

Këtë të enjte, seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, nisi me tensione të forta dhe zhurmë, duke e kthyer sallën në një arenë të vërtetë përplasjesh.

Atmosfera e rënduar vjen si pasojë e bllokadës së krijuar nga deputetët e opozitës dhe përjashtimeve të fundit të disa prej tyre nga Komisioni i Etikës.

Të lidhura

None found

Që në minutat e para të hyrjes së ligjvënësve, salla u përfshi nga kaosi, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punimeve.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura dhe të dëshpëruara për qetësi, drejtuesi i seancës e pati jashtëzakonisht të vështirë të vendoste rregull. Mes zhurmës masive u miratua në parim procesverbali i seancës së kaluar dhe u njoftua depozitimi i disa projektligjeve të reja.

Situata u agravua më tej kur u bë e ditur se Konferenca e Kryetarëve, nuk kishte arritur asnjë mirëkuptim për programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit, duke detyruar kalimin e tyre për miratim direkt në seancë plenare.

Ndërkohë që lexoheshin ndryshimet në delegacionet parlamentare, me emërime të reja si ato të deputeteve Elisa Spiropali dhe Evis Kushi, tensionet vetëm sa u shtuan. Drejtuesi i seancës iu drejtua vazhdimisht deputetëve të opozitës, veçanërisht deputetit Belind Këlliçi, duke u kërkuar në mënyrë të përsëritur të presin përfundimin e procedurave hapëse përpara se të merrnin fjalën. Në një klimë të tillë mbytëse, thelbi i seancës kaloi në plan të dytë, lënë totalisht në hije nga zhurma dhe mungesa e dialogut institucional.

Pika e parë, miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.10.2026. Procesverbalin e keni marrë në rrugë elektronike. Ta përfundojmë seancën. Ka ndonjë deputet vërejtje? S’ka vërejtje për procesverbalin, quhet i miratuar. Kalojmë tek njoftimet.

Ju lutem qetësi, ju lutem qetësi dhe zini vendet! Ju njoftoj se në Kuvend janë depozituar 9 projektligje nga Këshilli i Ministrave dhe 3 projektligje nga deputetët. Titujt e nismave të depozituara mund t’i gjeni në sistem në sallë, ndërsa materialet… ta hapim, të përfundojmë njëherë, pastaj flasim. Në faqen zyrtare të Kuvendit ju njoftoj se disa ndryshime për përbërjen e delegacioneve të përhershme parlamentare janë gjithashtu pjesë e seancës.

Në mbështetje të nenit 14 të rregullores së Kuvendit, deputetja Elisa Spiropali… ju lutem zini vendet… caktohet anëtare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit.

Ndërsa deputetja Evis Kushi, caktohet anëtare zëvendësuese në këtë delegacion. Ju lutem zini vendet të vijojmë seancën dhe pastaj merrni fjalën dhe ngrini të gjithë, ngrini të gjithë çështjet tuaja dhe shqetësimet tuaja. Ju njoftoj se në datën 13 tetor 2026, u mblodh Konferenca e Kryetarëve e cila shqyrtoi projektprogramin e punës dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit. Gjatë shqyrtimit të këtyre dokumenteve, në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit mirëkuptim për miratimin e tyre.


Shtuar më 22.10.2026 15:21

Quantcast