Presidenti francez Macron: Ekstremistët e majtë synojnë rrëzimin e Republikës
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se trazirat e fundit që përfshinë disa qytete të Francës ishin të organizuara nga grupe të ekstremit të majtë, të cilat sipas tij synojnë të minojnë institucionet e Republikës Franceze.
Pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Pallatin Elysee, Macron tha se një pjesë e sulmeve dhe akteve të dhunshme ishin të planifikuara dhe përbënin rrezik serioz për rendin publik. Ai njoftoi se autoritetet do të ndërmarrin masa më të forta sigurie për protestat e ardhshme.
Sipas presidentit francez, protestat që nuk organizohen nga sindikata ose struktura të njohura mund të ndalohen në ditët në vijim. Qeveria po shqyrton gjithashtu krijimin e itinerareve të posaçme për marshimet e autorizuara, me qëllim mbrojtjen e dyqaneve, bizneseve dhe pronës publike.
Macron bëri të ditur se do të mbahet një tjetër mbledhje e Këshillit të Mbrojtjes për të vlerësuar situatën dhe për të vendosur masa shtesë para protestave të planifikuara për fundjavën.
Ai theksoi se hetimet do të vazhdojnë dhe se personat e përfshirë në dhunë do të përballen me drejtësinë. Sipas tij, mijëra persona janë ndaluar nga policia dhe qindra të tjerë janë burgosur pas përleshjeve që shpërthyen gjatë protestave.
Në të njëjtën kohë, qeveria franceze do të vazhdojë dialogun me sindikatat, partitë politike, organizatat studentore dhe përfaqësuesit e punëdhënësve për të adresuar shqetësimet sociale, ekonomike dhe arsimore, veçanërisht ato të të rinjve.
Ndërkohë, autoritetet lokale në Lyon ndaluan të gjitha demonstratat e planifikuara për të shtunën, pas incidenteve të dhunshme të fundjavës së kaluar. Vendime të ngjashme janë marrë edhe në zona të caktuara të Parisit dhe qyteteve të tjera.
Gjatë trazirave, në Lyon u raportuan plaçkitje të dhjetëra dyqaneve, djegie objektesh dhe përplasje me policinë. Kryebashkiaku i qytetit e përshkroi situatën si disa orë të plota kaosi.
Organizatorët e protestave, përfshirë lëvizjen “Jelekët e Verdhë” dhe disa sindikata, kanë bërë thirrje për protesta të reja mbarëkombëtare dhe për një grevë të përgjithshme në fillim të muajit nëntor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



