Kongresmenia amerikane Alexandria Ocasio-Cortez ka reaguar lidhur me protestat në Tiranë dhe shqetësimet për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve nga forcat e rendit, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të respektojë lirinë e shprehjes.
Në deklaratën e saj, Ocasio-Cortez bëri të ditur se reagimi vjen pas mesazheve të marra gjatë javës së fundit nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shprehur shqetësimin për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.
“I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë represionin e dhunshëm ndaj protestuesve, si dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e saj.
Reagimi i kongresmenes amerikane vjen në një kohë kur protesta e studentëve në Tiranë ka vijuar prej disa ditësh, ndërsa çështja e trajtimit të protestuesve nga policia është bërë pjesë e debatit publik dhe politik në vend.
Deklarata rikthen në vëmendje shqetësimet e ngritura lidhur me të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur qëndrimet e tyre pa u përballur me dhunë.