Bayern Munich po forcon strukturën e tij financiare përmes shtimit të një partneri të ri.
Klubi bavarez ka njoftuar zyrtarisht hyrjen e “Viessmann Generations Group” – një kompani familjare me traditë dhe me seli pikërisht në Mynih – e cila do të blejë paketën e fundit të aksioneve të mbetura në “FC Bayern München AG”.
Në këtë mënyrë, Viessmann bëhet aksionari i katërt minoritar i klubit, duke iu bashkuar Adidas-it, Allianz-it dhe Audi-t. Transaksioni u realizua përmes një rritjeje të kapitalit, duke i dhënë kompanisë një pjesëmarrje prej rreth 6,7%.
Megjithatë, struktura drejtuese e Bayern-it mbetet e pandryshuar. Siç përcaktohet në statutin e klubit, 70% e aksioneve mbeten në duart e “FC Bayern München e.V.”, e cila ruan kontrollin mbi klubin dhe zotëron shumicën absolute.
Sipas raportimeve në mediat gjermane, marrëveshja do t’i sjellë kampionëve gjermanë një injektim kapitali prej rreth 250 milionë eurosh – fonde që do të forcojnë më tej pozicionin financiar të klubit dhe që mund të investohen si në zhvillimin e vetë organizatës, ashtu edhe të ekipit. Hyrja e Viessmann-it do të ketë ndikim edhe në qeverisjen e klubit.
Max Viessmann, Drejtor Ekzekutiv (CEO) i “Viessmann Generations Group” – i cili është tashmë anëtar i bordit këshillues të “FC Bayern München e.V.” – do t’i bashkohet Bordit Mbikëqyrës të “FC Bayern München AG”. Si pasojë, bordi do të zgjerohet nga nëntë në dhjetë anëtarë.







