Vendosni fjalën kyçe....

Përplasjet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të opozitës, 6 prej tyre për 60 ditë


 

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar masa disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës, pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë seancës plenare të 22 tetorit në Kuvend.

Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, socialistët kërkojnë përjashtimin për 60 ditë të gjashtë deputetëve demokratë, ndërsa për deputetët e tjerë propozohet një masë prej 10 ditësh.

Kërkesa është depozituar pranë Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, duke iu referuar neneve 63 dhe 65/1 të Rregullores së Kuvendit, si dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Sipas socialistëve, deputetët e opozitës kanë penguar zhvillimin normal të seancës, kanë bllokuar foltoren, kanë dëmtuar pajisje elektronike dhe kanë ushtruar dhunë ndaj deputetëve të mazhorancës.

Në dokument pretendohet se incidentet nisën që në fillim të seancës, kur Flamur Noka dyshohet se dëmtoi mikrofonin e foltores dhe përdori fjalë fyese ndaj kryetarit të Kuvendit. Gjatë diskutimeve për kalendarin dhe programin e punës, Belind Këlliçi akuzohet se goditi foltoren, ndërsa Noka, sipas kërkesës së PS-së, sulmoi fizikisht deputetë të mazhorancës, u mori kartat e votimit dhe dëmtoi pajisjet elektronike.

Socialistët pretendojnë gjithashtu se deputetët Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka dhe Luçiano Boçi kanë hedhur shishe uji dhe kanë fyer deputetë të Partisë Socialiste. Në kërkesë përmenden edhe deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj dhe Bujar Rexha, të cilët, sipas dokumentit, janë sulmuar ose fyer gjatë incidenteve.

Përjashtimin për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare PS e kërkon për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin.

Për 14 deputetët e tjerë të opozitës, socialistët kanë kërkuar përjashtim për 10 ditë. Ata janë Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi. Sipas PS-së, këta deputetë kanë marrë pjesë në bllokimin e foltores dhe kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës.

Kërkesa është firmosur nga 14 deputetë socialistë dhe pritet të shqyrtohet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, i cili do të vendosë për masat disiplinore.