Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar për vendimin e fundit në çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëakuzuarve të tij, lidhur me pranimin e dëshmisë së një dëshmitari.
Më 19 tetor, Gjykata Speciale publikoi versionin e redaktuar të një vendimi të nxjerrë në tetor të vitit 2025, në kuadër të procesit për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Të lidhura
None found
Trupi Gjykues nuk e pranoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që deklarata e dëshmitarit të përdorej vetëm si provë me shkrim, pa u paraqitur dëshmitari për t’u marrë në pyetje para gjykatës.
Gjyqtarët arsyetuan se deklarata përfshinte të dhëna mbi veprime të drejtpërdrejta të disa të akuzuarve, si edhe elemente që lidhen me besueshmërinë e dëshmitarëve të dëgjuar më herët në këtë proces.
Për këtë shkak, Trupi Gjykues çmoi se dëshmitari duhej të ishte i disponueshëm për pyetje nga pala kundërshtare. Sipas gjyqtarëve, kjo ishte e nevojshme për të garantuar drejtësinë e procedurës dhe për të parandaluar dëmtimin e palëve.
Si rrjedhojë, mbrojtjes së Thaçit iu kërkua të jepte informacionin e nevojshëm për të mundësuar paraqitjen e dëshmitarit në gjykatë, në vend që deklarata të pranohej vetëm në formë të shkruar.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur gjithashtu se më 17 nëntor pritet të shpallet aktgjykimi në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve.
Ky proces gjyqësor është i veçantë dhe nuk lidhet me çështjen për krime lufte ndaj ish-presidentit dhe të tjerëve.





