Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar kompaninë “Check Taxi”, me seli në Rrugën e Dibrës në Tiranë, si dhe 25 automjete elektrike në pronësi të saj.
Sipas njoftimit, kompania rezulton të jetë në pronësi të plotë të shtetasit Franc Canaj, i cili dyshohet nga autoritetet për përfshirje në rrjete të narkotrafikut, në lidhje me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 100% të kuotave të shoqërisë tregtare “Check Company” Sh.p.k., si dhe 25 automjete që përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të transportit taksi.

Bëhet fjalë për 24 automjete të markës Volkswagen, të modeleve Ioniq 5, ID.3 dhe ID.4, si dhe një automjet Toyota, modeli bZ3. Kompania ofronte shërbime taksi në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, si dhe udhëtime ndërkombëtare nga Tirana drejt Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas SPAK, sekuestrimi është kryer në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023, gjatë të cilit, paralelisht me hetimin penal, është zhvilluar edhe një hetim pasuror.
Ky hetim ka pasur në fokus identifikimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale dhe që rezultojnë të regjistruara në emër të personave nën hetim, si dhe të familjarëve të tyre.
Sekuestrimi i kompanisë dhe automjeteve është pjesë e veprimeve hetimore të SPAK për identifikimin dhe vendosjen nën sekuestro të pasurive që dyshohet se lidhen me veprimtari të paligjshme.




