“Na kanë fyer dhe sulmuar fizikisht”, PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të PD pas kaosit dhe bllokimit të foltores

Pas përplasjeve dhe situatës së tensionuar të krijuar në seancën e sotme plenare, Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetëve Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Luçiano Boçi, Edi Paloka dhe Besart Xhaferri.

Ndërkohë, për 10 ditë është kërkuar përjashtimi i deputetëve Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.

Të lidhura

None found

Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën thuhet se gjatë seancës plenare të 22 tetorit 2026 u shënuan incidente të rënda që në nisje të saj. Sipas deputetëve socialistë, episodet përfshinë fyerje, provokime dhe sulme fizike nga deputetë të opozitës, duke cenuar rendin dhe mbarëvajtjen normale të punimeve.

Sipas PS-së, në momentin kur po lexohej rendi i ditës, deputeti Flamur Noka iu drejtua foltores, e goditi atë dhe dëmtoi mikrofonin. Më pas, ai dyshohet se përdori fjalë fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit.

Këto veprime, sipas kërkesës, u pasuan nga mbështetja e deputetëve të tjerë të opozitës. Gjatë votimit për kalendarin dhe programin e Kuvendit, Belind Këlliçi deklaroi qëndrimin kundër në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndërsa foltorja vijonte të ishte e bllokuar nga ai dhe deputetë të tjerë të opozitës. Në përputhje me procedurën, Kryetari i Kuvendit i dha fjalën kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

PS pretendon se Këlliçi nuk u largua nga foltorja, por shkuli pajisjet e saj dhe vijoi ta godiste me to. Në çastin kur Taulant Balla nisi fjalën, Flamur Noka dyshohet se sulmoi fizikisht deputetë socialistë duke hedhur shishe uji.

Në kërkesë përmenden si të sulmuar dhe të fyer gjatë votimit deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj dhe Bujar Rexha. Po ashtu, deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi akuzohen se morën pjesë në bllokimin e foltores, duke penguar zhvillimin normal të seancës.

Partia Socialiste e konsideron sjelljen e deputetëve në fjalë si shkelje të rënda të etikës dhe disiplinës parlamentare. Sipas saj, veprimet e tyre dëmtuan autoritetin e Kuvendit dhe penguan ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare, ndërsa bllokimi i foltores, tensionet dhe zhurma e vazhdueshme nga deputetë të tjerë të opozitës vështirësuan procesin e votimit.


Shtuar më 22.10.2026 16:17

Quantcast