Protestat studentore/ Bamir Topi tregon çfarë u diskutua në takimin me Presidentin Begaj

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli në emisionin “Minuta e Parë” në News24 për takimin e zhvilluar disa ditë më parë me Presidentin Bajram Begaj. Në këtë takim, sipas raportimeve, morën pjesë edhe ambasadorë të rëndësishëm të huaj, si dhe ish-Presidenti Rexhep Meidani.

Topi bëri të ditur se ishte ftuar nga kreu aktual i shtetit dhe se biseda ishte përqendruar te situata kritike në vend, e shkaktuar nga protestat e zhvilluara gjatë ditëve të fundit.

Të lidhura

None found

Ai sqaroi se, në përputhje me rregullat institucionale, përgjegjësia për të informuar publikun mbi përmbajtjen e takimeve i takon Presidencës dhe jo personave që marrin pjesë në to.

“Rregulli i institucionit është që përmbajtjen e takimeve e bën me dije institucioni. Nuk e bën me dije askush nga aktorët e pranishëm. Kështu që, duke respektuar këtë rregull, ne mund të flasim për përmbajtjen, por jo për aktorët. Takimi ka pasur lidhje me situatën kritike të vendit, me protestat”, u shpreh Topi.

Gjatë intervistës, ish-kreu i shtetit tregoi se nuk kishte pasur asnjëherë një takim kokë më kokë me Bajram Begajn që prej kohës kur ky i fundit mori detyrën. Sipas Topit, Presidenti aktual nuk e kishte konsideruar të nevojshëm një takim të tillë me të.

“Takim kokë më kokë unë me Presidentin Begaj nuk kam bërë asnjëherë. Që nga momenti që ai është futur në zyrë, nuk e ka parë të arsyeshme që të ketë takim, së paku me mua. Kështu që ka qenë kjo situatë”, deklaroi ish-kreu i shtetit.

Megjithatë, Bamir Topi vendosi ta pranonte ftesën, duke vlerësuar rëndësinë e rrethanave dhe përgjegjësinë që lidhet me përvojën e tij të mëparshme në drejtimin e vendit.

“Ka qenë një ftesë e Presidentit Begaj. Patjetër që nuk mund t’i vendos kryq karrierës sime politike në raste të tilla dhe eksperiencës si kreu i shtetit. Njeriu duhet të jetë gjithnjë i pranishëm, mendoj. Në këtë kontekst kam respektuar një ftesë të institucionit dhe në këto parametra standardë kemi qenë”, tha Topi.


Shtuar më 22.10.2026 16:18

Quantcast